Kosova

Ish-zëdhënësi i NATO-s për Albanian Post: Aleanca Veriatlantike kishte vendosur të ndalonte Millosheviç-in, me diplomaci ishte e pamundur


Foto nga Albanian Post

Më 24 mars të vitit 1999 Aleanca Veriatlantike filloi fushatën e bombardimeve kundër caqeve serbe. Bombardimet 78 ditëshe i dhanë fund luftës në Kosovë, pas dështimit të Konferencës së paqes së Rambujesë.

Protagonistët e asaj konference 24 vjet pas, thonë se ndërhyrja e NATO-s ishte vendimtare, jo vetëm për t’i dhënë fund luftës së armatosur në Kosovë, por edhe për të hapur mundësinë e Kosovës që të vendosë për fatin e saj, hap të cilin Kosova e bëri pothuajse një dekadë më pas, më 17 shkurt të vitit 2008.

Ish-zëdhënësi i NATO-s, në kohën e luftës së Kosovës, Jamie Shea, në një intervistë për Albanain Post, thotë se ende e ka në memorie ditën e 24 marsit.

“Ishte një ditë që filloi me një shpresë përfundimtare se Millosheviçi do të tërhiqte forcat e tij speciale nga Kosova dhe do të përmbushte kushtet e bashkësisë ndërkombëtare për t’i dhënë fund krizës”, tha Shea.

Por, meqë një gjë e tillë nuk ndodhi, profesor i Strategjisë dhe Sigurisë, tregon se intervenimi ushtarakë ishte i pashmangshëm.

“Me kalimin e kohës u bë e qartë se të gjithë ne në NATO duhej të përgatiteshim për një ndërhyrje ushtarake. Sa kohë do të zgjaste? A do të ishte e suksesshme fushata ajrore? A do të ishim në gjendje të ruanim mbështetjen e publikut tonë, medieve dhe komunitetit të gjerë ndërkombëtar? Këto ishin pyetjet që më kalonin në kokë”, shpjegon ai.

Shea thekson se e dinte se “nuk kishte kthim prapa”, pasi regjimi i Millosheviç-it nuk po i ndalte vrasjet e civilëve të pafajshëm në Kosovë.

“NATO kishte vendosur të ndalonte fushatën e dhunës së Millosheviç-it kundër popullit të Kosovës. Ne preferuam ta bënim këtë me diplomaci, por ishte e pamundur”.

Megjithatë, sipas Sheas, kishte edhe shtete që ishin kundër intervenimit të NATO-s atëkohë, por numri i tyre ishte i vogël për ta penguar nisjen e bombardimeve.

“Të gjithë anëtarët e NATO-s në atë kohë miratuan njëzëri nisjen e fushatës ajrore dhe pohuan se ajo kishte një bazë të kënaqshme ligjore. Kishte vërtet disa kundërshtarë, veçanërisht Rusia, por ata ishin një pakicë e vogël në Kombet e Bashkuara dhe kurrë nuk kishin vota të mjaftueshme për të miratuar një rezolutë ndaj veprimit të NATO-s”, shtoi ai.

E bombat e para sipas Sheas, ranë në kazermat ushtarake të ushtrisë serbe në afërsi të Prishtinës dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe radarëve.

Ndërkaq tani Kosova po kërkon të jetë pjesë e NATO-s nisur nga situata delikate e sigurisë pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, veçse për Shean, duhet edhe disa vite që t’ia arrij këtë qëllimi, teksa shpreson që të vijë për të festuar në Prishtinë, kur kjo të bëhet realitet.

“Do të duhen edhe disa vite, por drejtimi i udhëtimit është i qartë dhe shpresoj të jem në Prishtinë për të festuar këtë rast”.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

Më 24 mars të vitit 1999 filluan sulmet ajrore të NATO-s mbi caqet ushtarake policore të ish-Jugosllavisë.

Pas 78 ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Më 12 qershor 1999 filloi vendosja e rreth 50,000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30,000 ishin nga vendet e NATO-s.

Sot, 24 vjet pas kësaj ndërhyrjeje, trupat e paqeruajtëse të KFOR-it janë në numër shumë më të vogël, rreth 3.600 sosh.

Ata janë të vendosur në pjesë të ndryshme të Kosovës me mision paqeruajtës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore