Lajme

Ish-Kryeministri australian, Scott Morrison, i reziston presionit për të dhënë dorëheqjen


Scott Morrison thotë se nuk do të japë dorëheqjen nga parlamenti federal, pasi u zbulua të kishte bërë pesë emërime sekrete, duke i dhënë vetes edhe rolin e ministrit në pesë ministri të ndryshme.

Morrison është duke mbrojtur vendimin e tij për t’i mbajtur ato ministri të fshehura, meqë ai thotë se nuk i ka ushtruar kurrë kompetencat e dhëna.

Morrison, i cili është nga Partia Liberale dhe që ka qeverisur nga viti 2018 deri në maj 2022, midis marsit 2020 dhe majit 2021 iu caktuan rolet e Ministrit të Shëndetësisë, Financave, të Brendshme, Thesarit dhe Industrisë dhe Burimeve Natyrore, duke i administruar ato departamente së bashku me ministrat që kishin kompetencë të drejtpërdrejtë.

Sipas asaj që u zbulua nga gazetat australiane dhe u konfirmua më vonë nga vetë Morrison, ish-kryeministri ia kishte caktuar vetes ato role i vetëm dhe në fshehtësi, pa e shpallur publikisht dhe pa bërë një betim zyrtar. Pothuajse në të gjitha rastet as ministrat në krye të atyre ministrive nuk ishin në dijeni të kësaj.

Morrison, në një konferencë shtypi në Sydney të mërkurën pasdite, pati një ton sfidues dhe tha se do të mbetej si anëtar i Cook, pavarësisht thirrjeve në rritje nga disa edhe brenda partisë së tij që ai të largohej.

Scott Morrison

“Unë besoja se ishte e nevojshme të kisha autoritet, të kisha ato që ishin në fakt kompetenca emergjente, për të ushtruar në situata ekstreme të paparashikuara kompetencat, që do të më mundësonin të veproja në interesat kombëtare”, tha ai për vendimin e tij.

Njeriu që nënshkroi emërimet, guvernatori i përgjithshëm, David Hurley, adresoi “pyetjet rreth fshehtësisë” të mërkurën duke deklaruar se ato ishin çështje për qeverinë e mëparshme të Koalicionit.

“Nuk është përgjegjësi e guvernatorit të përgjithshëm të këshillojë ministrinë ose parlamentin (ose publikun) më të gjerë për ndryshime administrative të kësaj natyre,” tha një zëdhënës në një deklaratë. “Guvernatori i përgjithshëm nuk kishte arsye të besonte se emërimet nuk do të komunikoheshin.”

Morrison ka refuzuar të thotë nëse guvernatori i përgjithshëm i ka kërkuar që t’i bëjë publike emërimet.

Kryeministri, Anthony Albanese, të mërkurën akuzoi Morrison për një “mashtrim të qartë të parlamentit” dhe i sugjeroi Morrisonit t’i kërkonte falje popullit australian.

Anthony Albanese

Albanese tha se dukej se Morrison i ka mbajtur ato portofole deri në humbjen e Koalicionit në zgjedhjet e fundit në maj dhe ai ishte në pritje këshilla të mëtejshme nga Departamenti i Kryeministrit dhe Kabinet, si dhe avokati i përgjithshëm, në lidhje me implikimet ligjore të marrëveshjeve të pazbuluara ministrore.

Morrison, në mbrojtje të tij, tha se ai kurrë nuk ushtroi ndonjë kompetencë në bazë të portofoleve për të cilat ishte betuar dhe se ai kurrë nuk dha udhëzime për asnjë nga departamentet që ishin nën juridiksionin e tij.

“Unë nuk i kam ushtruar ato sepse, fatmirësisht, rrethanat ekstreme në të cilat kisha krijuar këto kompetenca për të vepruar, fatmirësisht nuk u krijuan,” tha ai.

“Fakti që ministrat nuk ishin në dijeni të këtyre gjërave është në fakt dëshmi e mungesës së ndërhyrjes apo ndërhyrjes sime… Unë nuk po bashkëadministroja asnjërën prej tyre.”

Sidoqoftë, Morrison nuk shpjegoi plotësisht pse vendosi t’i shtonte kompetencave të tij portofolet e thesarit dhe punëve të brendshme në maj 2021, një vit pasi mori përsipër financat dhe shëndetin, duke thënë vetëm se “COVID ishte ende real në 2021”.

Deklarata publike e Morrison erdhi disa orë pasi kolegë të shumtë të Koalicionit e mbështetën atë për të qëndruar në parlament.

Ish-kryeministrat John Hoëard dhe Tony Abbott pranuan se marrëveshjet ministrore ishin të pazakonta, por nuk mbështetën thirrjet që Morrison të jepte dorëheqjen.

Ish-zëvendëskryeministri Barnaby Joyce dhe zëvendëskryetarja aktuale e liberalëve, Sussan Ley, gjithashtu hodhën poshtë thirrjet që Morrison të largohej.

Albanese pritet të mbajë një konferencë shtypi në Brisbane pasditen e sotme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore