Lajme

Ish-kryediplomatja e Kosovës Haradinaj-Stublla mbetet jashtë Kuvendit


Ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj ka reaguar pasi mbeti jashtë Kuvendit të Kosovës, pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Incizimi i inskenuar e i sponsorizuar, që u publikua ditë më parë, që u interpretua nga pseudo-portalet sipas dëshirës së porositësve, se kinse bashkëshorti im implikohet në bisedat e ulëta që zhvilloheshin në atë video 30 minutëshe, përmban tregues të mjaftueshëm e të bindshëm për inskenimin e dobët teatral që bëri banda kriminale sponzorizuese e kësaj fushate denigruese kundër meje”, ka shkruar ajo Facebook.

“I bëj thirrje publike Kryeprokurorit të Prishtinës Kujtim Munishi, i cili apostrofohet nga personi i tretë në këtë video publike në minutën 25:10, që të deklarohet se nëse ekziston lidhja e tij me këtë person, nëse e ka takuar siç po pretendohet në video, dhe kush është ai”, ka shtuar Haradinaj.

Hadainaj është zëvendësuar me Albana Bytyqin, e cila kishte marrë 4,420 vota.

Ish kryediplomatja kosovare ka 4,347 vota pas rinumërimit të votave, ndërkaq Bytyqi ka vetëm 73 vota më shumë se ish-ministrja e Jashtme.

Hadrinaj ishte akuzuar nga Florentina Gjergjaj e AAK-së për vjedhje të votave.

Menjëherë pas publikimit të rezultateve përfundimtare, Gjergjaj ishte ankuar në PZAP duke kërkuar rinumërimin e votave të saj dhe të Haradinaj-Stubllës.

PZAP-ja më pas duke e aprovuar kërkesën e saj, kishte vendosur që të rinumërohen fletëvotimet me kusht në të gjitha komunat e Kosovës dhe të gjitha fletëvotimet nga diaspora të kandidatëve të AAK-së.

Ulësen e ministres në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, e ka lëshuar pas nëntë muajve, pasi janë publikuar disa video-incizime në bazë të së cilave dyshohet se bashkëshorti i ish-ministres, Dardan Stublla, ka manipuluar në sigurimin e votave për kandidaten për deputete nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Videot kanë shkaktuar debat të madh publik, megjithatë organet e rendit ende nuk kanë dalur me një konstatim për vërtetësinë e tyre.

Sipas studiuesve të diplomacisë, kryediplomatja kosovare “nuk ka ndonjë performancë për të cilën do të mbahet mend”.

“Duhet theksuar fakti se përgjatë kohës sa Haradinaj-Stublla ishte në krye të MPJ-së, Kosova ka mbetur pa ambasadorë në Uashington, Londër, Paris, Bruksel e Tokio, gjë e cila e dëmton përfaqësimin diplomatik efektiv të Kosovës në qendrat më të rëndësishme vendimmarrëse në rendin ndërkombëtar”, theksoi studiuesi i diplomacisë, Mirlind Behluli për Albanian Post.

Por, përveç rastit të dyshuar për blerje votash, Haradinaj është e akuzuar edhe për një vepër tjetër penale.

Ajo është në procedurë gjyqësore, pasi ajo akuzohet për deklarim të rremë të pasurisë në kohën sa ishte këshilltare politike e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Po ashtu, Haradinaj me paratë e taksapaguesve, në cilësinë e këshilltares së Ramush Haradinajt, kishte paguar në një hotel “room service”, apo shërbim në dhomë, në fund të vitit të 2018-s sa ishte pjesë e një udhëtimi zyrtar në Vjenë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore