Lajme

Ish-kryediplomaten e Kosovës, Apeli e shpallë të pafajshme për mosdeklarim të pasurisë


Ish-ministra e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla

Gjykata e Apelit të Kosovës ka konfirmuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë që e shpalli ish-ministren e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla të pafajshme për mosdeklarim të pasurisë.

“Kolegji penal i Gjykatës së Apelit të Kosovës pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, ka konstatuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë është e pabazuar, pasi që aktgjykimi i lartcekur i Gjykatës së Themelore në Prishtinë, nuk është përfshirë në asnjë shkelje ligjore, për faktin se nga provat e administruara nuk është vërtetuar se e akuzuara M.H.S., ta ketë kryer veprën penale për të cilën ishte akuzuar, andaj edhe me të drejtë është liruar nga akuza”, thuhet në njoftim të Apelit.

Haradinaj-Stublla akuzohej se si këshilltare politike e kryeministrit Ramush Haradinaj gjatë shtatorit të 2017, nuk kishte deklaruar pronësinë e saj mbi një biznes të regjistruar në Londër.

Ajo në tetor të 2019 qe shpallur fajtore nga Gjykata Themelore e Prishtinës, për veprën penale “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë” dhe u dënua me tetë muaj burgim me kusht, e njëmijë euro gjobë.

Por, pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte anuluar aktgjykimin e Themelores dhe rastin e ktheu në rigjykim. Në rigjykim, u shpall e pafajshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore