Lajme

Ish-deputeti i LVV-së: Bislimi dje uzurpoi kompetencat e Konjufcës, s’duhet lejuar të futet më në Kuvend


Besnik Bislimi duke e gjuajtur me shishe të plastikës Mërgim Lushtakun

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Kasolli, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, ka dënuar veprimin e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit, i cili të enjten në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës përpos që jashtë kompetencës së tij largoi dhe grisi fletushkën e vendosur në foltoren e Kuvendit të Kosovës ku shihej Albin Kurti me hundë të zgjatur dhe më pas goditi me shishe plastike deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtakun.

Prandaj sipas tij nëse shoqëria kosovare ia lejon vetes të udhëhiqet edhe më tej nga Bislimi e shënon fundin e saj moral dhe demokratik.

Opozita, në anën tjetër sipas Kasollit, nuk duhet të lëshojë pe nga qëndrimi i saj për të mos lejuar futjen e Bislimit më në seanca të Kuvendit të Kosovës, në të kundërtën bëhet bashkëfajtore për këtë kapitullim politik.

Duke komentuar gjendjen psikologjike të zëvendëskryeministri, Kasolli, ka theksuar se Bislimi udhëhiqet nga frika.

“Mënyra tinëzare se si kërkon të struket pas veprimit, dëshmon se si ai drejtohet nga frika. Dhe këtë  frikë  kërkon ta kompensojë nëpërmjet dhunës. Prandaj, Besnik Bislimi e kërkon sigurinë e tij vetëm pas fuqisë së tjerëve, qofshin këta individ sikur se lideri, struktura institucionale, aparati i dhunshëm i shtetit etj”.

Duke u nisur nga kjo premisë, Kasolli, ndër të tjera ka potencuar se kryeministri i Kosovës, natyrisht që nuk e shkarkon Bislimin, sepse atij i duhet njerëz që ndjehen të sigurt nën ombrellën e pushtetit të tij.

“Ai mund ta sakrifikojë  ata  vetëm nëse e ndjen që po i rrezikohet pushteti i tij”.

I nxitur nga kjo paranojë dhe ankth personal në kërkim të fuqisë, Kasolli beson, se Bislimi dje ka dëshmuar se dhunoi demokracinë në Kosovë, meqë sipas tij, ky i fundit me largimin dhe grisjen e fletushkës së vendosur nga opozita ka uzurpuar kompetencat e Kuvendit të Kosovës.

“Sepse për mbarëvajtjen e seancës askush tjetër nuk është kompetent pos atij”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore