Lajme

Ish-ambasadorja e MB-së dhe bashkëshorti i saj burgosen me një vit në Myanmar


Ish-ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në Myanmar dhe bashkëshorti i saj, një artist i shquar, janë dënuar me një vit burg nga gjykatat e kontrolluara nga ushtria e vendit.

Vicky Bowman, e cila ishte ambasadore në Myanmar nga viti 2002 deri në 2006 dhe bashkëshorti i saj Htein Lin, një aktivist veteran i demokracisë, u arrestuan javën e kaluar në Yangon.

Referuar raportimeve, ata të dy janë akuzuar për shkelje të ligjeve të imigracionit dhe janë dënuar secili me një vit burg.

Zëvendësdrejtori rajonal i Amnesty International, Ming Yu Hah, e ka përshkruar lajmin e dënimit të tyre si jashtëzakonisht shqetësues.

“Ushtria e Myanmar-it ka një histori famëkeqe të arrestimit dhe burgosjes së njerëzve me akuza të motivuara politikisht ose të sajuara”, ka thënë ai.

Bowman, e cila e filloi karrierën e saj diplomatike duke punuar si sekretare e dytë në ambasadën britanike në vitin 1990, tani drejton Qendrën e Myanmar-it për Biznesin e Përgjegjshëm.

Kurse Htein Lin është një nga artistët më të famshëm të Myanmar-it.

Ai u burgos për më shumë se gjashtë vjet nën sundimin ushtarak në vitin 1998 dhe njihet për vazhdimin e artit të tij gjatë kohës së paraburgimit, duke improvizuar me materiale për të krijuar më shumë se një mijë vepra.

Junta ka thënë më parë se dyshja shkelën rregullat e imigracionit sepse nuk e kishin regjistruar adresën e tyre të re te autoritetet.

Sakaq, arrestimet kanë ardhur pasi Mbretëria e Bashkuar njoftoi javën e kaluar sanksione të reja që synonin kompanitë e lidhura me ushtrinë.

Më shumë se 15 mijë e 320 njerëz janë arrestuar që kur ushtria mori pushtetin në një grusht shteti më 1 shkurt 2021. Ndërsa 12 mijë e 219 mbeten në paraburgim.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore