Lajme

Irani nuk do të marrë pjesë në bisedime me SHBA-në


Ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif, ka deklaruar se Irani nuk do të marrë pjesë në bisedimet me SHBA-në, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Ky vendim ka ardhur si pasojë e moslehtësimit të sanksioneve amerikane ndaj Republikës Islamike.

Administrata Biden kishte bërë me dije më parë se ishte e gatshme të rikthehej në marrëveshje. Kjo, pas largimit që ish-presidenti Donald Trump i bëri Amerikës vitin e kaluar nga akordi.

Nuk është ende e qartë gjithsesi nëse ky vendim do të jetë i përhershëm apo do të ketë mundësi të ndërmjetësohet sërish një takim.

Pakënaqësi ka gjithashtu nga Irani. SHBA-ja, sipas tyre, nuk ka ndërmarrë hapa konkrete mbi rikthimin e paktit të nënshkruar në vitin 2015.

Gjatë kësaj jave, Në Vjenë, do të mbahet një takim i organizuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike. Në këtë takim, ka shumë gjasë që binomi SHBA-BE të marrë një lëvizje censuruese ndaj Iranit.

Ky mund të merret si provokim nga vendi në Lindjen e Mesme. Për shkak të kësaj, mund të kemi edhe mungesë bashkëpunimi me inspektorët e Kombeve të Bashkuara. Këta të fundit inspektonin uzinat e prodhimit të uraniumit në Iran.

Pavarësisht faktit se nuk ka ende një përgjigje amerikane, komenti nga Teherani është se “një takim informal në këtë pikë do të ishte tërësisht i pavlefshëm”. “Duke marrë parasysh pozicionimin SHBA-BE javët e fundit, nuk e cilësojmë si të duhur këtë takim”, deklaroi një zëdhënës shtypi i Ministrisë së Jashtme.

Në marrëdhëniet SHBA-Iran nuk ka ndryshuar ende asgjë. Këta të fundit, ndaluan javën e shkuar monitorimet nga Kombet e Bashkuara për disa uzina bërthamore.

Takimi midis Antony Blinken dhe Javad Zarif pritet të jetë pika e kthesës për mbarëvajtjen e aktivitetit atomik të Republikës Islamike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore