Lajme

Irani do të çojë raketa balistike në Rusi


Teherani ka në plan të dërgojë disa raketa balistike të modeleve Fateh-110 dhe Zolfaghar në Rusi, sipas burimeve konfidenciale pranë gazetës prestigjioze amerikane “Washington Post”.

Llojet e raketave, njihen si me rang të shkurtër mbulimi, por shumë efikase dhe të përpikta në goditje.

Fateh-100, kanë një rreze mbulimi prej 300 kilometrash. Ndërsa, nga ana tjetër, ato Zalfaghar, prej 700 kilometrash.

Irani ka mohuar prej kohësh implikimin në furnizimin e Moskës me armatime, por në sulmet e javëve të fundit në Ukrainë, ku disa qytete janë goditur me raketime të shumta, është vënë re se ka pasur edhe dronë iranianë të implikuar.

Po ashtu, dëshmitarë të shumtë në qytetet ukrainase, kanë fotografuar copëza të dronëve iranianë të rëna në tokë, duke e faktuar implikimin e Teheranit në ndihmë të Kremlinit.

Regjimi i Ayatollah Ali Khomeneit, është ndër të paktit në botë, të cilët e mbështesin Vladimir Putinin dhe linjat politike e ushtarake që ai po ndjek në Ukrainë, në një kohë kur e gjithë bota perëndimore po lufton për sprapsjen e Rusisë nga Ukraina.

Vetë aleatët e NATO-s, kanë vendosur sanskione të shumta kundrejt Iranit, për të ndaluar këtë të fundit të mbështesë Rusinë në luftë.

Megjithatë, situata politike brenda kufijve iranianë, është tejet e tensionuar aktualisht, për shkak të protestave që po zhvillohen pas vdekjes së një vajze të quajtur Mahsa Amini, e cila humbi jetën pasi u dhunua brutalisht nga “Policia e Moralit” në Iran, për shkak se nuk e kishte veshur në mënyrë korrekte shaminë.

Por, kjo nuk e ka ndaluar regjimin iranian, të vijojë mbështetjen ndaj Putinit dhe politikave të tija vrastare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore