Lajme

Intervistë me kryetarin e SDA-së, Numan Baliq: A mund ta nënshkruaj Pavarësinë me ‘Bismilah’


Kryetari i SDA-së, Numan Baliq

Rrethanat në skenën e brendshme politike në Kosovën e administruar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara, UNMIK, ishin mjaftë polarizuese. Mirëpo, kur bëhej fjalë për pavarësinë e Kosovës, faktori politik vendor thuajse ishte i unifikuar me disa përjashtime të vogla.

Edhe përfaqësuesit e komuniteteve në Kosovës, përjashtimisht liderët e serbëve, ishin për pavarësi të vendit, mirëpo që të përkrahej kjo natyrisht kërkonin të drejta kushtetuese, dhe se për to kishin filluar negociatat prej kohësh me liderët e vendit, përkatësisht me shqiptarët por, edhe me faktorin ndërkombëtar.

17 shkurti i vitit 2008, nuk ishte datë e befasisë për të zgjedhurit e komuniteteve në Kosovë. Por, ajo që mund të mbetej befasi ishte se si do të reagojë faktori ndërkombëtar, përfshi edhe UNMIK-un si administruese e vendit.

Por, në opinion nuk dihej se si ishin akorduar liderët politik shqiptarë me përfaqësuesit e komuniteteve në Kosovë për shpalljen e pavarësisë.

Leximi i tekstit të Deklaratës së Pavarësisë nga kryeministri Hashim Thaçi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Albanian Post ka zhvilluar një intervistë me kryetarin e Partisë boshnjake të Veprimit Demokratike (SDA) në Kosovë, Numan Baliq, me rastin e shënimit të 14 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Si njëri ndër nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë, Baliq ka kujtuar 17 shkurtin e vitit 2008 duke shtuar se kishte emocione, sepse në sytë e tij po realizohej ëndrra e shumëpritur e shqiptarëve dhe komuniteteve që jetojnë në Kosovë përfshi edhe komunitetin boshnjak.

“Unë kam qenë njëri prej deputetëve i cili ka nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë. Ka qenë një ngjarje e rëndësishme që ka rrumbullakuar një përpjekje të gjatë të gjithë neve që kem kontribuar dhe sakrifikuar për shtetin dhe pavarësinë e Kosovë”.

“Të gjithë deputetët e kanë ditur rëndësinë historike të këtij momenti dhe kanë qenë të gëzuar dhe emocionuar në ditën e shpalljes dhe nënshkrimit të pavarësisë së Kosovës”, ka thanë Baliq.

Për Baliq-in kjo ka qenë “realizimi e aspiratës dhe mundimeve të shumta nga gushti i vitit 1990, kur e kemi themeluar partinë SDA, e cila ka kontribuar në të gjitha periudhat nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, posaçërisht në vitet e nëntëdhjetë kur udhëheqësit dhe aktivistët e SDA-së, dhe unë si kryetar kemi qenë të keqtrajtuar dhe persekutuar nga regjimi i Sllobodan Millosheviç-it, njësoj si shqiptarët me të cilat kemi bashkëpunuar ngushtë”.

Ai ka kujtuar se komuniteti boshnjak në Kosovë ka qenë pjesë e rezistencës gjatë viteve të ’90-ta.

Pjestar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (1998-1999)

“Edhe në kohën e përgatitjes së mbrojtjes së Kosovës dhe organizimit të rezistencës ushtarake, kemi bashkëpunuar me udhëheqësit e UÇK-së dhe Qeverisë së Përkohshme të Kosovës (QPK) e cila është formuar më vonë, duke dhënë kontributin tonë”.

Ish ministri i Tregtisë në Qeverisë në ekzil të Bujar Bukoshit, thotë se të gjithë deputetët kanë qenë të informuar me kohë për seancën solemne të 17 shkurtit.

“Ne si SDA, kemi pas dy deputet, unë si bartës i listës dhe Vezira Emrush e përkatësisë  gorane, e cila ka marrë vendin si deputetja më e votuar në listën e SDA-së”.

“Të dy deputetët e SDA-së, kemi marrë qëndrim të përkrahim Deklaratën e Pavarësisë si një synim i yni për të cilin kemi luftuar gati dy dekada deri atëherë”, thotë ai.

Se si do të dukej flamuri i shtetit më të ri, Baliq thotë se nuk kanë qenë të përfshirë në të gjitha vendimet shtet-formuese.

“Ne si SDA nuk kemi qenë të përfshirë në përgatitjen e disa vendimeve të shtet-formimit që janë lidhur me grupe të caktuara për simbolet shtetërore”, ka thënë Baliq për Albanian Post.

Ish ministri i Shëndetësisë ka kujtuar momentin e atmosferës brenda Parlamentit të Kosovës para nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë.

Deklarata e Pavarësisë.

“Ajo që është interesante të përmendet është atmosfera brenda në Parlament kur të gjithë deputetët janë ftuar, një nga një dhe kanë nënshkruar Deklaratën. Kur ka ardhur rendi tek unë ka ekzistuar droja e atyre udhëheqësve të Parlamentit dhe Qeverisë prapa tavolinës, ku ka qenë libri për nënshkrimet, a do të vijë unë ose do të inatosem apo do filloj ndonjë polemikë”.

“Unë kam zbritur i qetë, i përmbajtur dhe kur jam afruar tavolinës kam pyetur shkurt, me buzëqeshje: A bënë me nënshkrua me ‘Bismilah’, dhe ata me një zë janë përgjigjur, gëzuar që gjithçka do të përfundon mirë, duke qeshur: Po more, Numan, si jo, me Bismilah’!”, ka thënë ai.

Flamuri i Kosovës

Ndërsa për rolin dhe rendësin e komunitetit boshnjak, si përfaqësues në aktin e shpalljes së Pavarësisë, Baliq thotë se SDA-ja, ka qenë partia e vetme që ka përkrahur shqiptarët si vëllezërit e vet, dhe ka luftuar krah për krah së bashku me ta, andaj pavarësia.

“Ne kemi kontribuar në të gjitha proceset e shtet-ndërtimit të Kosovës, jo vetëm para por edhe pas luftës, duke përkrahur të gjithë proceset në aspektin e mbrojtjes së të drejtave elementare të të gjithë komuniteteve, sigurinë fizike dhe pasurit e tyre, sundimin e ligjit dhe drejtësisë”.

Kushtetuta e Kosovës i ka përfshi të gjitha komunitetet jo-shumicë, të kenë përfaqësim në Parlament dhe në Qeveri.

“Duhet theksuar që këto komunitete kanë të drejtat më të larta edhe të shkruara në gjithë rajonin e Ballkanit”.

Kushtetuta e Kosovës

Në këtë kuptim duhet patjetër të unifikohemi, të ndërpremë menjëherë “animozitetet dhe anashkalimet e grupeve ‘kundërshtare’ dhe në bashkëpunim të ngushtë me Shqipërinë dhe vendet mike në Ballkanit” por edhe me “aleatët e deritanishëm euro-perëndimorë, por para së gjithash me besimin dhe ndihmën e Zotit të plotfuqishëm, të përfundojmë me sukses çështjen e formimit të shtetit të Kosovës!”, ka përfunduar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore