Sport

Inter-i kërkon ta transferojë Asllanin gjatë verës së ardhshme


Futbollisti i kombëtares së Shqipërisë, Kristjan Asllani, ka përfunduar në radarët e kampionëve në fuqi të Serie A, Inter-it.

Zikaltrit janë në kërkim të një mesfushori të aftë për të zëvendësuar kroatin, Marceo Beozovic, pasi edhe trajneri Simone Inzaghi ka pranuar se nuk ka asnjë futbollist me karakteristikat e kroatit, për të luajtur para mbrojtjes.

Inzaghi beson se këto cilësi i ka pikërisht 20 vjeçari shqiptar, i cili e kishte impresionuar me paraqitjen e tij kundër Inter-it në ndeshjen e Kupës së Italisë në muajin janar.

Ky i fundit ka luajtur një ndeshje madhështore dhe që atëherë është shndërruar në titullar të padiskutueshëm tek Empoli, duke tërhequr vëmendjen e shumë kubeve me paraqitjen e tij.

Zilaltrit vlerësojnë jo pak Asllanin, pasi e shohin si lojtarin ideal për t’u rritur akoma nën hijen e Brozovic-it dhe shumë shpejt për të marrë mesfushën në dorë.

Marrëdhëniet mes dy klubeve janë të shkëlqyera, pasi te Empoli zikaltrit kanë dhënë në huazim sulmuesin Pinamonti dhe të premten dy skuadrat do të përballen në kampionat, ku do të diskutojnë padyshim edhe për Asllanin.

Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, plani i Inter-it është ta marrë në huazim me të drejtë blerjeje për 20 milionë euro mesfushorin shqiptar, teksa te Empoli pritet të përfundojë në huazim edhe sulmuesi 19-vjeçar Sebastiano Espozito, i cili aktualisht luan te Basel-i në Zvicër.

Vlen të ceket se për Asllanin ka pasur edhe oferta të tjera nga Italia, ku Napoli dhe Milan-i kanë shprehur interesim, megjithatë raportet mes Inter-it dhe Empol-it, ë bëjnë favorit skuadrën zikaltër për ta pasur Kristjanin në skuadër nga sezoni i ardhshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore