Sport

Inter-i arrin marrëveshjen me Joaquin Correa-n


Sulmuesi argjentinas i Lazio-s, Joaquin Correa, është pranë ndjekjes së ish-trajnerit të tij, Simone Inzaghi-t drejt Milanos, te skuadra e Inter-it.

Sipas raportimeve që vijnë nga Italia, Inter-i ka arritur marrëveshjen me lojtarin, për një kontratë katërvjeçare, ndërsa me Lazio-n nuk është biseduar ende mbi kërkesat ekonomike.

Megjithatë pritet që Inter-i një pjesë të të ardhurave nga shitja e Romelu Lukaku-t t’i investojë te Correa.

26-vjeçari u ble nga Lazio në vitin 2018 për shifrën e 15.3 milionë eurove te Sevilla dhe tani lacialët kërkojnë rreth 50 milionë euro për ta lënë të lirë.

Correa ka luajtur në total 117 ndeshje me Lazio-n, gjatë të cilave ka shënuar 30 gola dhe ka dhuruar 18 asiste.

Inter-i gjithashtu po tenton t’i mbyllë sa më shpejt marrëveshjet me Edin Dzeko-n dhe Denzel Dumfries-in.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore