Shqipëria

INSTAT: Femrat vizitojnë Shqipërinë më shumë se meshkujt


Femrat e kanë vizituar Shqipërinë më shumë se sa meshkujt gjatë vitit 2019. Në raportin e fundit të Institutit të Statistikave (INSTAT), publikuar me 9 shkurt 2021, bie në sy fakti se 51.4% e udhëtarëve të huaj në Shqipëri, janë gra dhe vajza. Kjo përkon me 3 milionë e 289 mijë udhëtare femra.

Në raport me meshkujt, në Shqipëri gjatë 2019-ës, janë futur 178 mijë gra më shumë se burra. Hyrjet e shtetasve të huaj në tërësi, kanë qenë 8.1% më të larta se në vitin 2018.

Përsa i përket grupmoshave, intervali 25-34 vjeç, është ai që ka vizituar më së shumti vendin. Intervali moshor i dytë, renditet ai 15-25 vjeç. Pra, të rinjtë janë përqindja më domethënëse e vizitorëve në Shqipëri.

Periudha më e frekuentuar është ajo e verës, ku gushti dhe korriku kanë pasur trafikun më të lartë të udhëtarëve. Muaji mars ka qenë gjithashtu në shifra të mira, me 11% të udhëtarëve të mbërritur në atë periudhë.

Rreth 96% e udhëtimeve drejt Shqipërisë janë zhvilluar për qëllime personale. Pjesa e mbetur ndërkohë, për biznes. Numri mesatar i qëndrimit , është 3.75 netë për udhëtim.

Në udhëtimet për qëllime personale, më shumë se gjysma e tyre janë vizitat që emigrantët zhvillojnë për të takuar familjarët. 34% ndërkohë, udhëtojnë për pushime ose thjeshtë për të vizituar vendin.

Qyteti më i vizituar është ai i Tiranës, me 35,3% të udhëtimeve, të kryera me qëllim qëndrimin në kryeqytet. Korça është qyteti i dytë me 15.2%, ndërsa qytetet bregdetare të Vlorës dhe Durrësit, janë respektivisht në kuotën 14.4% dhe 12.8% të trafikut të udhëtimeve.

Dy të tretat e udhëtarëve që vizitojnë Shqipërinë, vendosin të qëndrojnë tek të afërmit e tyre apo miqtë. Përsa i përket transportit pas mbërritjes, ato zhvillohen thuajse tërësisht nëpërmjet transportit rrugor.

Vizitorët kryesorë dhe rrugët hyrëse

Pjesa më e madhe e vizitorëve, vijnë nga Evropa. Janë 90.1% e hyrjeve, që vijnë nga shtetas evropianë numrin më të lartë, e mbajnë shtetasit kosovarë, me mbi 2.2 milionë turistë. Më shumë se 750 mijë maqedonas kanë vizituar Shqipërinë gjatë 2019-ës, ndërkohë që shtetasit grekë janë afro 600 mijë. Diçka më pak janë malazezët, me rreth 470 mijë dhe italianët me 366 mijë.

Rrugët tokësore mbeten më të pëlqyerat për ardhjen në vend. Më shumë se 80% e udhëtarëve preferojnë pikat doganore tokësore. 12.2% hyjnë në Shqipëri me rrugë detare dhe vetëm 7.3% me rrugë ajrore.

Ndër ta, 92.4% janë vizitorë me netë qëndrimi. Një pjesë shumë e vogël janë vizitorë ditorë apo tranzit. Pika kryesore hyrëse në vend është ajo e Morinës, e cila mbledh 34.6% të trafikut. Nga Rinasi kalojnë 12.2% e udhëtarëve ndërsa 12.1% nga Muriqani. Pikat e tjera kufitare sjellin më pak trafik vizitorësh.

Në krahasim me vitin 2018, përqindjet kanë ndryshuar pak. është shtuar numri i atyre që vijnë për biznes apo qëllime të tjera personale, në proporcion me numrin e atyre që vijnë për pushime.

Industria e turizmit ndërkohë, është rritur në të gjitha nivelet e saj. Akomodimi, shërbimet, ushqimi dhe agjencitë turistike, kanë shënuar rritje të fitimeve. Në lidhje me Prodhimin e Brendshëm Bruto, turizmi zë 3.23% të zërave.

Kapacitetet akomoduese janë rritur gjithashtu, si në sipërfaqe, ashtu edhe në vlerë. Interesant është edhe fakti se janë punësuar rreth 64 mijë qytetarë, në aktivitetet e lidhura me turizmin. kjo krijon një raport prej një të punësuari çdo 100 vizitorë të huaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore