Lajme

IKSHPK: Rëndësia, përmbajtja dhe efikasiteti i vaksinave


Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ka bërë apel qytetarëve që të vaksinohen kundër COVID-19, në kohën kur po vazhdojnë rritjet e rasteve.

IKSHPK-ja përmes një njoftimi në mediat sociale ka njoftuar qytetarët për rëndësinë, efikasitetin dhe përmbajtjen e vaksinave.

IKSHPK ka dhënë detaje rreth metodave për mbrojtje, ata kanë njoftuar se mënyra më e thjeshtë dhe më e sigurt për të mbrojtur njerëzit nga sëmundjet e dëmshme është vaksinimi.

Po ashtu vaksinimi përdor mbrojtjen natyrore të trupit tonë për të krijuar rezistencë ndaj infeksioneve specifike dhe e fuqizon sistemin imunitar.

IKSHPK, përmend rëndësinë për tu vaksinuar e cila mund të shpëtoj jetë “Gjatë këtyre ditëve kemi në dispozicion vaksina për t’u mbrojtur nga të paktën 20 sëmundje të ndryshme, siç janë: difteria, tetanozi, paraliza e fëmijëve, gripi, fruthi, kanceri i qafës së mitrës, kolera, Covid-19, hepatiti, parotiti, meningjiti.

Ata tutje kanë njoftuar se këto vaksina shpëtojnë tre milionë jetë njerëzish çdo vit, sidomos në vendet e pazhvilluara.

Gjithashtu vaksinimi është metoda më e sigurt dhe efektet anësore nga një vaksinë janë zakonisht të vogla dhe të përkohshme, si p.sh. dhembje krahu dhe ethe. Efektet anësore më serioze janë të mundshme, por janë jashtëzakonisht të rralla.

”Çdo vaksinë e licencuar testohet me rigorozitet në të gjitha fazat e hulumtimeve klinike para se të miratohet për përdorim” thuhet në njoftim.

IKSHPK-ja tutje ka shpjeguar edhe efikasitetin e vaksinës prej 95 për qind.

“Te personat e vaksinuar e ul mundësinë e prekjes nga COVID-19 për 95 për qind, krahasuar me personat që nuk e kanë marrë vaksinën”.

Gjithashtu thuhet se qëllimi kryesorë i vaksinimit është “Të parandalojë vdekjet dhe infeksionet e rënda, të cilat kërkojnë shtrirjen e pacientit në spital”.

Po ashtu thuhet se vaksinat janë testuar tek nga vera e vitit 2020, dhe se nuk e dihet kohëzgjatja e saktë e mbrojtjes.

“Personat e vaksinuar kanë më pak gjasë se sa ata të pavaksinuar të transmetojnë infeksionin tek personat e tjerë. Në një studim të kryer në Izrael, të vaksinuarit me vaksinën Pfizer, BioNTech kishin për 90 për qind rrezik më pak për infeksion asimptomatik, krahasuar me ata që nuk ishin vaksinuar”, ka njoftuar IKSHPK-ja.

Thuhet se vaksina ndikon në mënyrë indirekte në popullatë, “Në Izrael, rastet e Covid-19 tek fëmijët u zvogëluan ndjeshëm me rritjen e përqindjes së vaksinimit tek të rriturit. Kjo sugjeron për një dobi shtesë të popullatës nga  imunizimi masiv, sepse ulen rastet e sëmundjes”.

Dhe se asnjë vaksinë nuk është 100 për qind efikase, “Prandaj nuk mund të themi se vaksinat plotësisht e zhdukin rrezikun e infektimit dhe sëmundjes simptomatike”.

Është diskutuar edhe për efektet anësore “Të lehta janë ndjeshmëria në vendin e injektimit, dhimbje në vendin e injektimit , dhimbje koke dhe lodhje, dhimbje të muskujve dhe shqetësim, temperature, dhimbje të kyçeve, mundim, të vjella, diarre, skuqje dhe ënjtje në vendin e injektimit, të shoqëruara me ethe, ënjtje të nyjave limfatike, ulje e oreksit, marramendje, përgjumje, djersitje e tepërt, kruajtje dhe skuqje e lëkurës”.

Efektet tjera anësore janë shumë të rralla: mpiksja e gjakut, miokarditi, perikarditi

IKSHPK, jep detaj rreth sigurisë së vaksinave ne Kosovë.

“I vetmi shtet në rajon që ka dhënë vetëm vaksina të miratuara nga Agjencia Evropiane dhe Amerikane e Barnave është Kosova. Këto vaksina janë Astra-Zeneca dhe Pfizer. Këto vaksina kanë sigurinë, cilësinë dhe efikasitetin, që e plotësojnë standardin evropian dhe atë amerikan” shkruan IKSHPK-ja.

Vaksinat janë të testuara dhe pa asnjë llojë frike duhet të mirren, “Cilëndo që është në dispozicion: Astra-Zeneca ose Pfizer. Të dyja janë të sigurta dhe shpëtojnë jetë”.

Arsyeja e ngurrimit të njerëzve për tu vaksinuar janë “Frikësohen nga efektet anësore, siç është mpiksja e gjakut, e cila është regjistruar shumë rrallë (4 raste mpiksjesh në 1 milionë të vaksinuar). Por në anën tjetër rreziku i mpiksjes së gjakut te përdorimi i pilulave kontraceptive është deri 12 mijë raste në 1 milionë gra; apo 1763 raste në 1 milionë duhanxhinj dhe së fundmi 165 mijë raste të mpiksjes ndodhin në 1 milionë pacientë të cilët janë të sëmurë me COVID”.

Në efekte anësore ka çdo ilaç, madje edhe Paracetamoli.

Po ashtu IKSHPK njofton se pijet e sheqerosura që shkaktojnë diabet, sëmundje kardiovaskulare e obozitet (si psh. Coca-cola) shkaktojnë 184 mijë vdekje në vit në mbarë botën.

Rreziku për të humbur jetën nga COVID-19, është shumë më i madh sesa vaksina.

“Asnjëra vaksinë që është në përdorim në Kosovë nuk përmban virus të gjallë që shkakton COVID-19. Kjo d.m.th. se nuk mund të sëmureni me COVID-19 nga vaksina”.

IKSHPK, tregon se vaksinimi duhet të shtyhet te njerëzit që kanë çfarëdo sëmundje akute, mundësisht deri sa të shërohen. Kjo vlen edhe COVID-19, por edhe për sëmundjet e tjera. Megjithatë, njerëzit me sëmundje kronike dhe simptoma të qëndrueshme mund të marrin vaksinat (p.sh. personat me sëmundje obstruktive kronike të mushkërive).

Ata kanë thënë se nuk rekomandohet testimi rutinor i testeve.

“Ka teste të serologjike kohëve të fundit janë autorizuar, që kërkojnë antitrupat specifikë neutralizues pasvaksinalë”

Po ashtu edhe personat të cilët janë vaksinuar një herë duhet të vaksinohen.

IKSHPK-ja ka njoftuar se personat të cilët janë shëruar nga COVID-19, në muajt e parë rrallë mund të ri-infektohen.

“Shumë shtete në Evropë e kanë shtyrë vaksinimin e këtyre personave në interval prej së paku 3-6 muaj pas infektimit ose pas shërimit”.

Por, nëse një person që ka kaluar COVID-in, dëshiron ta marrë vaksinën sa më shpejt të jetë e mundur, atëherë nuk ka kundërindikacion për t’u vaksinuar.

Disa shtete në Evropë japin vetëm një dozë për ata që kanë pasur COVID-19. Por, rekomandohet të merren dy dozat duke marrë parasysh të dhënat e fundit se një dozë e vetme e vaksinës mund të mos ofrojë mbrojtje të mjaftueshme kundër variantit të ri “Delta” të virusit.

Edhe personat që janë alergjik në penicilinë, mund të vaksinohen, por duhet të presin në qendrën mjekësore 30 minuta pas vaksinimit. I vetmi kundërindikacion për vaksinim është nëse personi është alergjik në vaksinën kundër COVID-19.

Nëse kam zhvilluar reaksion alergjik ndaj vaksinës në dozën e parë, a duhet të marr dozën e dytë të vaksinës?

Nëse personat kanë pasur reaksion alergjik ndaj vaksinës në dozsën e parë, nuk duhet të marrin dozën e dytë të vaksinës. Edhe personat që kanë pasur mpiksje të gjakut pas dozës së parë, nuk duhet ta marrin dozën e dytë

Gjithashtu, personat që kanë marrë antitrupa monoklonalë ose plazmë konvaleshente si pjesë e trajtimit të COVID-19, vaksinimi duhet të shtyhet për të paktën 90 ditë.

IKSHPK-ja, njofton se “Duhet të ketë një interval minimal prej 14 ditësh mes administrimit të kësaj vaksine dhe çfarëdo vaksine tjetër kundër sëmundjeve të tjera”.

Vaksinimi i fëmijëve mund të merret në konsideratë vetëm atëherë kur është arritur vaksinimi i grupeve prioritare të popullatës.

“Fëmijët dhe adoleshentët zakonisht kanë formë shumë të lehtë të sëmundjes. Disa kategori të adoleshentëve mund ta përhapin SARS-CoV-2 sikurse të rriturit”.

Po ashtu fëmijët që kanë sëmundje shoqëruese, të cilat e rrisin rrezikun e shfaqjes së sëmundjes serioze COVID-19, mund t’u ofrohet vaksinimi.

Po ashtu personat me imunitet të kompromituar, IKSHPK njoftonë se mund të kenë efektivitet më të ulur të vaksinës. Po ashtu, duhet t’i rikujtojmë ata për rëndësinë e vazhdueshme të masave të tjera parandaluese, siç janë mbajtja e maskës në hapësira të brendshme publike, distanca, shmangia e turmave dhe larja e duarve.

Po ashtu anëtarët e familjes së personave me sistem imunitar të dobësuar duhet të imunizohen me vaksinë kundër COVID-19.

IKSHPK-ja njofton edhe për gratë shtatzëne se a duhet të marrin vaksinat, “Rekomandohet vaksinimi i shtatzënave në rastet kur përfitimet e vaksinimit për  shtatzënën tejkalojnë rreziqet e mundshme. Shtatzënave duhet t’u ofrohet informacion në lidhje me rreziqet e COVID-19 në shtatzëni, përfitimet e mundshme të vaksinimit dhe kufizimet aktuale të të dhënave të sigurisë së vaksinës për grupin e shtatzënave”.

Në botë janë vaksinuar shumë shtatzëna dhe rezultatet e deritashme nuk kanë treguar për efekt të dëmshëm të vaksinës. Nuk rekomandohet të bëhet testimi i shtatzënisë para vaksinimit e as shtyrja e shtatzënisë ose ndërprerja e saj për shkak të vaksinimit.

Nuk ka pengesa në dhënien e vaksinës tek gratë gjidhënëse, përkundrazi janë gjetur antitrupa në trupin e foshnjave që mbrojnë nga COVID-19.

Po ashtu efikasiteti i vaksinës kundër hospitalizimit të personave të sëmurë me variantin “Delta” është 75 për qind pas dozës së parë dhe rritet në 94 për qind pas dozës së dytë. Te varianti Alfa këto shifra janë 78 për qind pas dozës së parë dhe 92 për qind pas dozës së dytë.

Kurse efikasiteti i vaksinës kundër infeksionit simptomatik me variantin “Delta” është 31 për qind pas dozës së parë dhe 60 deri në 80 për qind pas të dytës.

Më së shumti preken personat e pa vaksinuar. Në SHBA, nga rastet e vdekjeve të raportuara në dy muajt e fundit, gjithsej 99.5 për qind e personave të vdekur ishin të pavaksinuar.

IKSHPK-ja njofton se edhe personat e vaksinuar mund të preken nga varianti “Delta”, por kjo ndodh shumë rrallë dhe zakonisht te personat që nuk e kanë kryer vaksinimin e plotë me dy doza.

Nëse nuk vaksinohemi mund të rriten rastet e reja duke u përcjellë me shtim të hospitalizimeve, vdekjeve, mbingarkesë të sistemit shëndetësor, rikthim të kufizimeve, goditje të shëndetit mental, shkollës, ekonomisë, kulturë, artit e sportit.

Po ashtu IKSHPK, shton se “Mënyra e vetme për të hequr qafe variantet është ulja e numrit të infeksioneve. Kjo arrihet vetëm me vaksinim. Personat që refuzojnë vaksinimin janë fabrika potenciale për prodhimin e varianteve të reja. Sa më shumë njerëz të pavaksinuar që të ketë, aq më shumë mundësi do të ketë virusi të shumëzohet dhe të prodhojë variante të reja”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

IKSHPK-ja bënë thirrje që të gjithë qytetarët të mos hezitojnë dhe të vaksionohen, kundër COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore