Lajme

IKD: Rregullorja e Re e Punës së Kuvendit është në shpërputhje me Kushtetutën


Gzim Shala dhe Jeton Hasani nga IKD

Instituti i Kosovës për Drejtësi, ndonëse e sheh si të nevojshme një Rregullore të re të Punës së Kuvendit, ka gjetur shumë mangësi dhe shpërputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Jeton Hasani, hulumtues i IKD, ka thënë se Draft-Rregullorja e re e Kuvendit të Kosovës themelon Konferencën e Kryetarëve, e cila do të përbëhet nga kryetari i Kuvendit dhe kryetarët e të gjitha grupeve parlamentare megjithatë sipas tij shumë nga kompetencat që i përcaktohen kësaj konference si dhe seancës plenare të Kuvendit, ndërhyjnë në kompetencat kushtetuese të kryetarit të Kuvendit dhe të Kryesisë së Kuvendit.

Më tej sipas Hasanit, draft-rregullorja në fjalë edhe pse parasheh sanksione financiare për deputetët që nuk njoftojnë për mungesa në seanca plenare apo mbledhje të komisioneve, nuk ka projektuar edhe format legjitime të veprimit politik që nuk kufizohen me pjesëmarrje fizike në seancë, siç është bojkoti opozitar.

“Rregullorja e re duhet të njohë, në raste të caktuara, të drejtën e deputetëve për bojkot opozitar të punës së parlamentit, si formë legjitime e veprimit politik”, ka thënë Hasani në një konferencë për media.

Në anën tjetër, Gzim Shala, hulumtuesi i lartë nga IKD, ka kërkuar që Draft-rregullorja në fjalë të precizojë me saktësi konfliktin e interesit, ashtu që të mos përfshijnë obligimin e deputetëve që të tërhiqen nga votimi në rastet kur ata përfitojnë nga një akt i parlamentit vetëm si pjesë e publikut të përgjithshëm apo e një kategorie të gjerë të personave.

“Rregullorja përmban edhe dispozita lidhur me konfliktin e interesit, duke përcaktuar që deputeti është i obliguar ‘të tërhiqet nga e drejta e votës për një çështje në seancën plenare dhe në mbledhje të komisionit, kur vendimi mund të rezultojë në përfitime personale për të apo për të afërmit e tij’”, ka thënë Shala.

Problemi tjetër sipas Shalës është se Draft-Rregullorja e re e Kuvendit ka paraparë pezullimin e punës së Kuvendit një ditë para të fillimit të fushatës zgjedhore, e që është kundër kushtetutës.

“Duke pasur parasysh se zgjedhjet e rregullta për Kuvend duhet të mbahen më së voni tridhjetë ditë para përfundimit të mandatit dhe se fushata zgjedhore zgjatë tridhjetë ditë para ditës së zgjedhjeve, Kuvendi mund të pezullohet të paktën dy muaj para mbarimit të mandatit. Një përcaktim i tillë sjellë faktikisht përfundim të parakohshëm të mandatit katërvjeçar të Kuvendit, të garantuar me Kushtetutë. Kuvendi duhet të jetë në gjendje të punojë pa marr parasysh që mund të jetë periudhë zgjedhore”, ka shtuar ai.

Ndryshe deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën plenare të 22 shkurtit kishin miratuar në lexim të parë rregulloren e re të legjislativit që mes tjerash parasheh masa disiplinore ndaj deputetëve të papërgjegjshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore