Lajme

Ideja e Osmanit për peticion në Veri – një proces i komplikuar, i kushtueshëm dhe që zgjatë gjysmëviti


Zgjedhja e katër kryetarëve shqiptarë në katër komunat e banuara kryesisht me serbë, me përqindje të ulët të votuesve, me pas vendosja e tyre në objektet administrative komunale me polici, ka bërë që komuniteti serb në Leposaviq, Zubin Potok, e Zveçan të revoltohet dhe për afër dy javë ata protestuan duke i shndërruar këto komuna në qendra potenciale të eskalimit.

Për të de-eskaluar këtë situatë, pas presioneve ndërkombëtare, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë për Reuters, ka deklaruar se “mënyra më demokratike për të zgjidhur këtë problem është që 20% e votuesve serb të nënshkruajnë një peticion”.

Por çka në fakt përmban kjo formë e peticionit?

Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, një kryetar komune mund të largohet nëse ndaj tij iniciohet një peticion nga 20% e votuesve të komunës, të cilët më pas i nënshtrohen një procesi të votimit, i cili realizohet në formë të një referendumi, ani pse ligjërisht nuk quhet si i tillë – krejt kjo për t’i hapur rrugë një procesi të jashtëzakonshëm zgjedhor, i cili po ashtu duhet të kalojë nëpër kuti votimi.

Krejt ky proces merr kohë nga 5 deri në 6 muaj dhe ka koston e dy palë zgjedhjeve.

Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës – KDI, në një prononcim për Albanian Post, ka thënë se presidentja Osmani nuk e ka treguar komplet procesin e “peticionit të 20% të votuesëve” si ide për ta tejkaluar këtë problematikë në veri të Kosovës.

Neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale në Kosovë

Sipas tij, në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, peticioni parasheh vetëm një hap fillestar në këtë proces.

“Duhet që së paku 20% e votuesve në secilën komunë, atyre që kanë të drejtë vote, të nënshkruajnë një peticion i cili më pas i dërgohet kryetarit të Kuvendit të Komunës përkatëse. E cila pastaj si kërkesë përcillet në Komisionin Qendror Zgjedhor”, tregon Cakolli.

Pasi që KQZ të verifikojë dhe të konkludojë se votuesit e këtij peticioni, janë nënshkrime të ligjshme nga votuesit banorë të komunës përkatëse, plotësohet kriteri i parë, i 20% -it.

Pas kësaj, duhet të organizohet një proces i votimit.

“I cili në praktikë është një lloj referendumi, pra ku qytetarët e të gjitha komunave veç e veç pyeten dhe do të kenë para vetes një fletëvotim se ‘a jeni për apo kundër shkarkimit – përkatësisht largimit të Kryetarit të Komunës suaj’”, thotë hulumtuesi i IKD-së.

Dallimi i këtij procesi,  nga ai i zgjedhjeve të zakonshme apo jashtëzakonshme, është se “nevojitet apo është i përcaktuar një prag i daljes në zgjedhje”.

Në këtë lloj votimi, duhet të marrin pjesë më shumë se gjysma e votuesve të komunës ku organizohet, në mënyrë që ky proces të jetë i ligjshëm. E për më tepër, duhet që edhe vota ‘për’ të jenë më shumë se gjysma e votuesve që kanë të drejtë të votojnë.

“Pra jo vetëm ata që dalin dhe votojnë potencialisht. Edhe nëse arrihet pragu prej 50% dhe prej tyre votojnë vetëm 50% – ‘për’, atëherë nuk kalon si referendum dhe nuk mund të largohet kryetari. Por, i bie që në kuadër të numrit të përgjithshëm të votuesve që ka secila komunë, më shumë se gjysma e tyre duhet të votojnë ‘për’ largimin e kryetarit, në mënyrë që presidentja pastaj të ketë të drejtë për të shpallë edhe një proces zgjedhor që pastaj janë zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në secilën prej këtyre komunave, në përputhje me procedurat standarde që organizojnë, pra në periudhë prej 30 – 45 ditësh nga data e marrjes së vendimit”, shpjegon Cakolli.

Problemet e këtij procesi për largimin e kryetarëve në katër komunat veriore

Problemi i parë në këtë proces thuhet të jetë kostoja financiare.

Ky proces i votimit, proceduralisht dhe teknikisht ka kosto qindra mijëra euro.

“Kostoja e organizimit të këtij procesi mund të jetë fare pak më pak e kushtueshme sesa procesi zgjedhor. Këtu s’ka nevojë të organizohet certifikimi i kandidatëve sepse nuk ka dhe pjesa e fushatës zgjedhore. Por si administrim i procesit, me komisionerë, vëzhgues e mbajtje të procesit shkon njëjtë si proces zgjedhor, është gati krejt njëjtë, me një kosto simbolike më të ulët sesa procesi zgjedhor”, thotë Cakolli.

Problemi tjetër, i evidentuar në këtë rast është koha.

Që procesi i ‘referendumit’ të realizohet e më pas procesi zgjedhor i jashtëzakonshëm, në total merr kohë nga 5 deri në 6 muaj.

“Duke e ditur që këto procedurat e mbledhjes së nënshkrimit, dërgimit të tyre në KQZ, shpallja e referendumit, mbajtja e tij e certifikimi, marrin kohë 2 deri në 3 muaj e pastaj një periudhë e ngjashme duhet edhe për zgjedhjet e jashtëzakonshme. Pra e gjithë kjo nuk mund të administrohet në tërësi si proces për të paktën 5 deri në 6 muaj”, thotë hulumtuesi në IKD.

Pse u propozua ky opsion për të dalë nga kriza e krijuar në veri?

“Me ble kohë. Nuk ka diçka tjetër”, thotë Cakolli.

“Formë tjetër nuk ka, veç nëse kryetarët japin dorëheqje vetë dhe më pas mbahen zgjedhjet për një muaj. Pastaj i ke kryetarët e rinj brenda dy muajsh, maksimalisht, nga dita kur shpallen zgjedhjet”.

Por, nëse kryetarët nuk japin dorëheqje, për çka disa prej tyre janë deklaruar edhe publikisht se nuk do ta bëjnë, forma e vetme ligjore për t’ua marrë atyre pushtetin është kjo formë e largimit, me peticion e më pas me votim si referendum, për t’i hapur rrugë procesit zgjedhor.

“Është shumë e komplikuar por s’ka tjetër zgjidhje”, specifikon Cakolli.

“Është e vetmja si mundësi për me mbërri te zgjedhjet, nëse nuk do kryeministri që të jap konotacion politik, që ata të japin dorëheqje”.

“Si rrugë ligjore është vetëm kjo, neni 72 nga Ligji për Vetëqeverisjen Lokale. Opsioni politik është dorëheqja, por në anën tjetër nuk mund askush t’i detyrojë ata të japin dorëheqje kështu të paktën ligjërisht. Askush s’ka autoritet e as mandat që t’ua marr atyre pozitat që i kanë tani si kryetar”.

Nëse Kosova futet në këtë proces, për t’ua marrë mandatin katër kryetarëve të katër komunave veriore në veri të Kosovës, të dal nga zgjedhjet e 23 prillit, llogaritet të jetë hera e parë, jo vetëm në Kosovë.

“Por edhe në rajon nuk ka pas ndonjë proces të tillë që është largu në këtë mënyrë ndonjë kryetar i komunës me këtë proces votimi që është si referendum”, tregon Eugen Cakolli, hulumtues në KDI.

Por në fund, si rezultat ky proces mund të arrijë që t’ua marrë mandatin kryetarëve shqiptarë në këto komuna të banuara kryesisht me serbë.

Eugen Cakolli tregon se në komunat e banuara me serbë, dalja e votuesve në proces zgjedhor në disa raste ka arritur deri në 88%.

“Për vota më pas nuk është problem fare sepse ata të gjithë janë për largimin e tyre, problem nuk është sepse votat i kanë, por si kosto është e madhe edhe merr kohë shumë”, përfundon Cakolli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore