Shqipëria

Ibrahimaj: Çmimi i naftës do të ulet në gjashtëmujorin e dytë të 2022-shit


Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, të martën e 22 shkurtit, ka deklaruar se pritet një stabilizim i çmimeve të naftës nga gjysma e vitit 2022.

Në një dalje publike për mediat, Ibrahimaj tha se çmimi i naftës dhe i gazit në vend është rritur nga mospërputhja në tregjet ndërkombëtare, mes kërkesës së shtuar dhe ofertës së limituar.

“Çmimi i gazit u rrit me ardhjen e dimrit, gjë që solli dhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike”, u shpreh ajo.

Po ashtu ka folur dhe për borxhin publik, e cila theksoi se, në fund të vitit 2021, është stabilizuar në 78% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Duke sjellë dhe një pasqyrë të situatës ekonomike në Shqipëri, ministrja tha se të ardhurat dhe shpenzimet janë rritur 21% në krahasim me një vit më parë.

Punësimi ka pasur një trajektore rritëse, sipas saj, por edhe shpenzimet kapitale kanë pësuar rritje krahasuar me 2020-n.

Ibrahimaj nuk ka harruar se pa sjellë në vëmendje reformat e qeverisë, duke u ndalur te ajo e fiskalizimit.

Sipas të dhënave, “89% e biznesit të madh ka filluar procesin e fiskalizimit”, mbi 72 mijë biznese, duke e renditur Shqipërinë me rritjen më të lartë ekonomike, krahasuar me vendet e rajonit.

Ajo përmbylli me faktin se “Shqipëria ka pasur një rikthim ekonomik më të fortë”, krahasuar me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore