Film

“I riu Karl Marks”


Filmi “I riu Karl Marks” (2017) është dramë historike për jetën e të riut revolucionar, Karl Marx. Filmi është bashkëshkruar nga Peck dhe Pascal Bonitzer dhe me regji të realizuar nga Raoul Peck.

Filmi analizon jetën e filozofit, gazetarit, ekonomistit, teoricienit politik gjerman, Karl Marks dhe idenë e tij për dizajnimin ose ndërtimin e një sistemi ekonomik-politik, që bazohet në shpërndarjen e barabartë të pasurisë në shoqëri.

I riu Marks, që në shkencat sociale dhe në filozofi e njohim si egalitar, proklamues i barazisë dhe utopisë socio-politiko-ekonomike, kulmin e ideve të tij e arrin në veprën më të famshme, Manifesti i Partisë Komuniste.

Raoul Peck synon të paraqesë historinë e revolucionarit të ri, i cili ende nuk e ka zënë vendin në libra të historisë së mendimit politik.

Ai është ende një gazetar 26-vjeçar, që shkarravitë për një gazetë majtiste, që ka filluar të reflektojë jashtë kutisë së konformizmit tradicional dhe t’i përngjitet debateve dhe spekulacioneve teorike që tejkalojnë atë të cilën, më vonë, ai do ta quajë ‘Ideologjia Gjermane’.

Marksi njeh shokun e tij të jetës, Friedich Engels, një djalë i ri, i pasur, që paradoksalisht studion kushtet e këqija dhe varfërinë e klasës punëtore angleze. Ata bëhen gjysma teorike dhe ideologjike e njëri tjetrit, një duo që, për të mirë apo keq, mbeten në raftet e historisë.

Regjisori Peck për filmin është e shprehur se “unë dëshiroja që ky film të rikrijojë lidhjen e asaj kohe me këtë që po ndodh sot, që audienca t’i bëjë vetë ndërlidhjet”.

Kritikë të ndryshëm kanë pasur ankesa diametralisht të kundërta për filmin “I riu Karl Marks”. Disa e kanë parë të tepruar dozimin filozofik të filmit; disa tjerë, përkundrazi, janë ankuar se filmi ka boshllëqe ose vakume të mëdha të aspektit filozofik të Marksit.

Por, për këtë tezë dhe antitezë, Marksi me siguri që do thoshte se e vërteta gjendet diku në mes, në sintezën e dy qëndrimeve.

Revista amerikane “Variety” e ka quajtur “film të padëmshëm, por edhe të mërzitshëm”, kurse revista e majtë, “Jacobin”, e ka quajtur si një përshkrim real dhe të nuancuar, si “portret befasisht të saktë të revolucionarit në rininë e tij”. E përditëshmja “The New York Times” e ka përshkruar si “intelektualisht serioze dhe shpirtërisht e dëlirë”.

Megjithë kundërshtimet dhe protestimet e kritikëve të filmit, në tërësinë dy orëshe të filmit “I riu Karl Marks” përqendrohet në një narritivë të një periudhe 5-vjeçare të jetës së Marksit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore