Shqipëria

I padëshiruar familjarisht në SHBA, Rakipi: Nuk humb kohë me gojët e liga, po marrim hapa ligjorë


Fjalët e tij në Kuvendin e Shqipërisë nuk janë të shumta, por duket se shpallja e të atit si i padëshiruar në SHBA – rrjedhimisht gjithë familjes – e ka bërë atë të flasë nga foltorja e Parlamentit.

Ornaldo Rakipi, një ndër fjalimet e pakta që prej marrjes së mandatit si deputet, ia kushton babait të tij, ish-deputetit Aqif Rakipi, ku thekson se ky i fundit po merr çdo hap të nevojshëm ligjor për të zhbërë përcaktimin amerikan.

Mirëpo, në një pjesë të fjalimit, ai nuk heziton as të komentojë ato, të cilat i cilëson si “gojë të liga” dhe më veçanërisht, i referohet ish-kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Aqif Rakipi është përmendur dhe përgojuar shpesh kohët e fundit, sidomos nga Lulzim Basha dhe ndonjë njeri i afërt me të”, deklaroi Ornaldo.

“Është demonizuar pa të drejtë dhe është hedhur shumë baltë mbi të. Kam një fjalë për Lulzim Bashën. Mos mallko suksesin e tjetrit, por mëso se në thelb politika është marrëdhënia me njerëzit”.

Sipas tij, i ati “bëhet copash duke ndihmuar njerëzit në nevojë”.

Ndërsa, ish-kreun e demokratëve, e emërton si person “pa burrni”, cilësi të cilën për Ornaldon, babai i tij e ka.

Mbi akuzat e ngritura nga Departamenti i Thesarit, ai u ka bërë ftesë mediave për të hulumtuar mbi aktivitetin e tij dhe të familjes së tij.

Ndërsa, vëmendjen, do ta ketë për nga detyra që ushtron.

Kështu e përmbyll Rakipi një ndër fjalimet e pakta të tijat në Parlament.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore