Kosova

Hyseni lirohet nga akuza e mos-deklarimit të pasurisë – s’kishte prova


Skender Hyseni

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skender Hyseni, është liruar nga akuza për mos-raportim të pasurisë nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Hyseni akuzohej se në cilësi të Koordinatorit Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, nuk e kishte deklaruar veturën në vlerë prej 13 mijë e 300 euro në pronësi të bashkëshortes së saj.

Gjykata në mungesë të provave ka ardhur në përfundim se Hyseni nuk ka kryer veprën penale.

Gjykata thekson se pohimi i Prokurorisë se Hyseni me dashje ka kryer veprën penale ishte vetëm një dyshim, i cili nuk ka mbështetje në asnjë provë të besueshme-relevante.

Sipas shkallës së parë, nga administrimi i provave materiale dhe atyre personale, nuk është provuar se ekzistojnë elementet e veprës penale të mosdeklarimit të pasurisë.

Kjo sipas gjykatës pasi që vepra penale në fjalë kryhet vetëm me dashje dhe se nga provat e administruara dhe fjala përfundimtare e të akuzuarit Hyseni, nuk janë gjetur elemente të kryerjes së veprës penale të mosdeklarimit të pasurisë.

Ndryshe, për këto akuza, Skender Hyseni, ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 12 janar 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore