Lajme

Hyseni: Kosova po e izolon veten në rrafshin ndërkombëtarë


Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni

“Asnjëherë, që nga shpallja e pavarësisë, Kosova nuk ka qenë më e izoluar në rrafshin ndërkombëtar se sa vitin e fundit”.

Kjo pasi që sipas ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, është si rrjedhojë e ardhjes në pushtet të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Ish-kryediplomati kosovarë, duke komentuar mos ftesën e Kosovës në një nisëm të organizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shtetet demokratike, ka thënë se për një gjë të tillë duhet shqetësuar shumë.

“Kosova nuk është ftuar në samitin e shteteve demokratike, që organizohet nga Presidenti amerikan Joe Biden. A duhet të jetë ky ‘klubi’ ku duhet quar Kosovën, me Serbinë dhe Bosnjën (Lexo Republika Srpska). Jo, assesi. A duhet të shqetësohemi? Po, shumë. Tej mase shumë, sepse janë shenja të cilat, po nuk i lexuam saktë, mund të prodhojnë konsekuenca nga më të ndryshmet”, ka shkruar Hyseni në Facebook.

“Politika infantile e krerëve aktual të shtetit të Kosovës, krekosjet dhe arroganca në komunikimet ndërkombëtare, retorika konflikt-nxitëse, që është një ‘copy paste’ e retorikës serbe, si dhe politika shkatërruese e vetizolimit nuk ka si të përfundoj tjetërkund pos me Kosovën në të njëjtin ‘klub’ me Serbinë dhe Bosnjën! E kjo mund të ndryshojë matematikat rrënjësisht”, ka vazhduar më tej ai.

Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Sipas tij Kosova ka ardhur deri në këtë gjendje fal përpjekjeve dëshpëruese të binomit Kurti-Osmani për të njollosur dhe mohuar çdo progres që kanë bërë qeveritë e kaluara për të avancuar Kosovën drejt përmbylljes së shtet-ndërtimit.

“Çdo platforme televizive, konferencë,  panel apo forum ndërkombëtar, nga këta të mjerë, Kurti, Osmani, ministrja e jashtme, shfrytëzohet për të treguar qysh Kosova paska qenë çerdhe e krimit të organizuar dhe korrupsionit e asgjë me shumë”.

Madje Hyseni mendon se me refuzimin e një rezolute nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për miratimin e Marrëveshjes së 4 shtatorit të vitit të kaluar në mes të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është etabluar dhe konsoliduar politikat e vetëizolimit të Kryeministrit Kurti.

“Mesazhet krekosës që Kurti po dërgonte qoftë edhe duke refuzuar miratimin e një rezolute edhe ashtu jodetyruese për qeverinë, janë të rrezikshme dhe me pasoja. Ai akt politik i Kurtit ishte shumë më shumë sesa vetëm një refuzim. Pra, është e qartë që Kurti është një manipulues dhe mashtrues gjenial, i cili interesin personal dhe atë të vartësve të tij e vë para çdo interesi qytetar e nacional”.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore