Shqipëria

Hutra i kërkoi policëve ta lejonin të kryente edhe një vrasje, zbulohet gjithë dinamika e masakrës së 1 marsit


“Më lini të kryej edhe një vrasje”.

Ka qenë kjo fjala e parë që Dan Hutra, u ka thënë efektivëve të Policisë së Tiranës, në çastin kur është kapur nga këta të fundit pas një ndjekjeje prej gjashtë orësh, kur Hutra kishte kryer tre vrasje makabre dhe tre plagosje, në më pak se 30 minuta.

Krejtësisht gjakftohtë dhe i vendosur për krimet, ai nuk ka treguar dhe reflektuar asnjë pendesë për aktet e kryera.

Përkundrazi, ka kërkuar t’i vijojë ato.

Në bazë të gjithë dinamikës së ngjarjes të zbardhur nga Policia e Shtetit ndërkaq, referohet edhe mënyra se ai i është afruar viktimave radhazi.

Fillimisht, Hutra ka shkuar në shtëpinë e ish-bashkëjetueses së tij, Elena Hysa, ku në oborr ka gjetur ish-kunatën e tij, Mevlute Hysa dhe të fejuarën e vëllait të ish-bashkëjetueses së tij.

Ato të dyja kanë qenë duke larë makinën, kur Hutra u është afruar dhe më pas i ka qëlluar ato me breshëri kallashnikovi, duke i lënë të vdekura në vend.

Menjëherë më pas, ai ka vënë re se i kishin përfunduar plumbat e armës dhe ka shkuar në kuzhinën e shtëpisë, ku ka marrë një thikë.

Nga aty më pas, ai ka shkuar drejt ish të fejuar, Elena Hysa dhe nënës së saj, Kujtime Hysa, të cilat i ka plagosur me mjetin prerës.

Menjëherë më pas ka shkuar drejt veturës së tij dhe ka rimbushur karikatorin e kallashnikovit me plumba, për t’u kthyer në banesë dhe për t’i vrarë të dyja të plagosurat.

Mirëpo, kur ka dalë jashtë, është ndeshur me fqinjët e familjes Hysa dhe pasi u pyet se çfarë po bënte, ai është larguar menjëherë nga aty.

Drejtimi i ndërmarrë ka qenë banesa e shtetases Etleva Kurti, e cila ishte motra e një personi me të cilin Hutra kishte pasur konflikt në burg, Vladimir Kurti.

Sërish, me armën e zjarrit, ai e ka lënë të vrarë Etleva Kurtin në vend, duke e plotësuar gjithë ngjarjen siç e kishte përfytyruar.

Më pas, ai është larguar në arrati dhe është fshehur, për t’u gjetur gjashtë orë më pas nga efektivët e Policisë, me ndihmën e informatave të ardhura nga qytetarët.

Fakte rrëqethëse mbi dëshminë e Dan Hutrës: Doja t’i bëja ato krime, nuk pendohem, do flasin mediat botërore për mua

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore