Lajme

Hulumtimi i Qeverisë së Kosoves për sfidat e komunave gjatë pandemisë


Brenda 100 ditësh qeverisje synohet të realizohet hulumtimi rreth dëmeve të shkaktuara nga pandemia në nivelin e pushtetit lokal. Këtë hulumtim Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal synon ta realizoj në të gjitha komunat e Kosovës.

Një hulumtim i tillë është realizuar gjatë periudhës Maj-Korrik të vitit 2020 nga Asociacioni i Komunave të Kosovës në 34 komuna. Hulumtimi i AKK-së ishte mbështetur nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SDC), ndërsa ishte realizuar në teren nga UBO Consulting. Hulumtimi i MAPL synon të ketë rreth 5 mijë respondent, duke përfshi tri kategori; zyrtarë komunal, përfaqësues biznesesh dhe qytetarë.

Këtë ide e ka shpalosur fillimisht ministri Elbet Krasniqi në një konferencë të organizuar nga organizata FOL, por duke mos dhënë detaje se si do realizohet ky hulumtim dhe sa është i nevojshëm për ministrin një hulumtim i tillë.

Ky hulumtim i kryer nga UBO Consulting, në emër të Asociacionit të Komunave të Kosovës me titull Studimi mbi nevojat emergjente dhe ndikimin socio-ekonomik të Covid-19 në qeverisjen lokale në Kosovë.

Qëllimi i hulumtimit ishte identifikimi i vështirësive të hasura nga komunat gjatë përhapjes së pandemisë Covid-19, masave të ndërmarra nga to për menaxhimin e situatës.

Po ashtu, ky studim ka pas për qëllim të hulumtimit edhe bashkëpunimin me nivelin qendror dhe AKK-në, por edhe identifikimin e nevojave emergjente të komunave për tejkalimin e pasojave socio-ekonomike.

Në një bisedë telefonike për Albanian Post, këshilltari politik i ministrit Krasniqi, Fidan Kalaja, ka thënë se në mungesë të një studimi gjithëpërfshirës për ndikimin e pandemisë në nivelin lokal, kjo ministri po dëshiron ta realizoj një hulumtim të tillë, ndërsa studimet e bëra nga organizatat e huaja dhe ato vendore konsideron se janë parciale dhe jo të mjaftueshme.

“Nuk kemi një studim gjithëpërfshirës për nivelin komunal për ndikimin e pandemisë që ka pas si në ofrimin e shërbimeve nga institucionet publike, si kurna në sektorin privat, sikurna tek qytetarët. Pra, ne po dojna me ba një studim për të tri kategoritë: për ekonomitë familjare në nivelin lokal, (për qytetarët e Kosovës), për institucionet qeverisëse lokale (për Komunat), d.m.th. si ka ndikuar pandemia në ofrimin e shërbimeve edhe si ka ndikua në kryerjen e punëve nga komunat për qytetarët dhe e treta është ndikimi i pandemisë në sektorin privat në nivelin lokal”.

Hulumtimi një domosdoshmëri për MAPL-në

Studimi i realizuar nga AKK, që ka përfshi 34 komuna të cilat janë edhe anëtare të këtij asociacioni, ka rezultuar me disa gjetje si buxheti i kufizuar dhe mungesa e masave mbrojtëse, mungesën e personelit mjekësor, teknologjinë për realizimin e mësimit online, ndalimin e zhvillimit të aktiviteteve të caktuara ekonomike.

Në këtë hulumtim të realizuar më 2020, përfaqësuesit e komunave (57%) kishin deklaruar se ishin të përgatitur deri në një masë për ballafaqimin e një situate të tillë pandemike, duke përfshi dezinfektimin e objekteve komunale dhe hapësirave publike, pajisjen e personelit me masa mbrojtëse, uljen e numrit të stafit dhe punën me rotacion dhe krijimin e Shtabeve Lokal Emergjente.

Kurse si masë tjetër e ndërmarr nga komunat, në atë raport theksohet se komunat kanë bërë rialokim të buxhetit (drejtoritë përkatëse) si dhe kishin hartuar pako të rimëkëmbjes ekonomike dhe ofrim të informacionit të plotë mbi vendimet e Qeverisë për bizneset dhe komunitetin lokal, shpërndarja e pakove ushqimore dhe higjienës për familjet në nevojë.

Hulumtim kishte nxjerr në pah gjithashtu se komunat kanë një bashkëpunim të plotë me ministritë e linjës dhe institucionet qendrore në përgjithësi, por edhe me vet AKK-në gjatë tërë kohës së përhapjes së pandemisë Covid-19.

Nevojat emergjente të komunave kishin ndryshuar me kohën dhe ndikimin e vazhdueshëm që pandemia po shkaktonte. Mirëpo, dy nevoja të përbashkëta emergjente për shumicën e drejtorive komunale ishin ajo e dizajnimit të pakos së rimëkëmbjes ekonomike dhe ndarjen e fondit emergjent.

Dallimi mes asaj çka është kryer në hulumtimin e porositur nga AKK dhe asaj çfarë kanë thënë nga kabineti i ministrit Krasniqi është se, hulumtimi i ministrisë do të përfshij 38 komuna (të gjitha komunat), për dallim që hulumtimi i realizuar është bërë në 34 komuna anëtare të asociacionit.

Se si synohet të realizohet ky hulumtim edhe në komunat veriore të banuara me serb, Kalaja nuk ka treguar, por se ky studim do të jetë një udhëzues i mirë për ministrinë ai këtë e ka konfirmuar.

“Ky studim do të përfshij 38 komuna të Kosovës, do të thotë pa dallim duke u përfshi të gjitha komunat e Kosovës dhe do të jetë një lloj studimi i cili do të jetë udhërrëfyes për ministrin, mirëpo gjithashtu edhe për Qeverinë dhe Komunat”.

Pas më shumë se një viti pandemi, komunat kanë identifikuar nevojat dhe kërkesat e tyre. Hulumtimi i realizuar nga AKK është një tregues i mirë i nevojave dhe kërkesave të nivelit lokal si deh dëmeve ku janë shkaktuar, me theks të veçantë në ekonomi.

Kalaja, konsideron për MAPL-n është emergjente realizimi i këtij hulumtimi sidomos për rimëkëmbjen ekonomike dhe nuk dëshirojnë që të mbesin planet vetëm të shkruara dhe të strukura e të pluhurosura nëpër sirtarët e ministrisë dhe komunave.

“Për Qeverinë dhe komunat, është emergjent hartimi i planeve për rimëkëmbje ekonomike. Pastaj, këto plane nuk dëshirojmë që do të mbahen në sirtarët e komunave, por do të bëjë profilizimin e komunave. Dhe për secilën komunë do të kërkojmë që të bëhen planet emergjente bazuar në rezultatet e këtij studimi dhe këto plane të zbatohen nga ana e komunave për pak a shumë zgjidhjen e problemeve që pandemia ka shkaktuar në komuna”, është shprehur Kalaja.

Hulumtimi gjithëpërfshirës e jo sektorial para inicimit të procedurave për buxhetin 2022

Para se të fillojnë procedura për bërjen e buxhetit për vitin 2022 synohet të zhvillohet hulumtimi nga MAPL.

“Ideja është që ky studim të bëhet para inicimit të procedurave për buxhet-bërjen për vitin e ardhshëm, mirëpo nëse nuk arrijmë atëherë e shohim mundësinë për rishikimin e buxhetit për vitin 2022”.

Tutje për Albanina Post, Kalaja ka thënë se hulumtimet që janë bërë deri më tani janë realizuar kryesisht nga organizata ndërkombëtare dhe nga ato vendore përfshi edhe Asociacionin e Komunave të Kosovës, mirëpo ato hulumtime janë bërë për sektor të caktuar.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës ka bërë vjet në fillim të pandemisë një hulumtim të tillë. Ato janë hulumtime sektroiale, nuk janë hulumtime të përgjithshme ose studime të përgjithshme të cilat po na nevojiten neve për nevoja të ministrisë.

Por, ajo çfarë ka mësuar Albanian Post nga kabineti i ministrit është se, MAPL ende nuk ka asgjë konkrete sa i përket këtij hulumtimi. Pra, gjithçka është vetëm në fazën parapërgatitore.

‘Ne jemi në fazën e përpilimit të kritereve edhe të termave të referencës, në kuptimin që cilat çështje duhet t’i studiojmë. Këtë e bëjmë në bashkëpunim të ngushtë me komunat, sepse ne dëshirojmë të jenë të involvuara në procese vendimmarrëse të ministrisë”, ka deklaruar Kalaja.

Një pjesë e buxhetit të paraparë për kontrata mbi vepër do të harxhohet për hulumtimin

Për realizimin e hulumtimit nuk dihet se sa do të kushtoj dhe a do të ketë ndonjë donator të jashtëm. Por, kodi buxhetor për kontrata mbi vepra shihet si një mundësi për të shpenzuar atë buxhet në realizimin e hulumtimit të synuar nga MAPL.

“Në fakt ne kemi gjet linja buxhetore, shembull kemi një linjë buxhetore e cila është për kontratat mbi vepër në kuadër të ministrisë. Dhe këtë ne kemi marr vendim si ministri që mos ta shfrytëzojmë, pra që të mos ketë kontrata mbi vepër në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, mirëpo me rishikim të buxhetit kjo linjë buxhetore të shkoj për nevojat e ministrisë dhe një pjesë nga ky fond do të shkoj për realizimin e studimit”, është shprehur Kalaja.

Por, a është e nevojshëm të harxhohet një buxhet, për një çështje kur kemi të dhëna dhe studime për nevojat dhe dëmet që i ka shkaktuar pandemia në nivelin lokal të qeverisjes, kjo mbetet një pyetje e hapur edhe më tej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore