Kosova

Përfundon afati nga KQZ-ja për certifikim për zgjedhjet në Veri, Lista Serbe s’merr pjesë


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është përmbyllur afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat veriore më 23 prill.

Ndërkaq Lista Serbe ashtu siç kishte paralajmëruar nuk ka aplikuar fare për t’u certifikuar për zgjedhjet e parakohshme.

“Nga 9 deri më 13 mars 2023, subjektet politike dhe kandidatët e certifikuar në nëntor dhe dhjetor të vitit 2022, për pjesëmarrje në zgjedhjet e 18 dhe 25 dhjetorit, kanë konfirmuar certifikimin e mëhershëm dhe të njëjtit nuk kanë pasur nevojë të paraqesin aplikim nga fillimi, me përjashtim të udhëzimeve të dhëna nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike”, thuhet në njoftim.

Më 20 mars, një delegacion i Listës Serbe është takuar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, derisa pas këtij takimi përmes një komunikate për media kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore.

“Partia jonë mbetet konsistente në qëndrimin e saj se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme lokale në komunat e veriut të Kosovës, derisa të plotësohen kërkesat që na bënë të largohemi nga institucionet e Kosovës. Forimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe tërheqja e të gjitha njësive speciale të Policisë nga veriu i Kosovës”, thuhet në njoftim.

Më 10 dhjetor të vitit të kaluar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit konsultativ me partitë politike lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve në Veri, kishte vendosur t’i shtyjë zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan të cilat do të mbaheshin me 18 dhe 25 dhjetor.

Osmani kishte thënë se zgjedhjet për këto katër komuna do të mbahen më 23 prill të vitit 2023.

Arsyeja e shtyrjes së zgjedhjeve, sipas Osmanit, është niveli i rrezikshmërisë.

Osmani më tej kishte bërë të ditur se ka pranuar një raport të përbashkët të Policisë dhe Agjencisë Kosovare për Inteligjencë për vlerësim të nivelit të rrezikut në pjesën Veriore të vendit.

Zgjedhjet në Veri ishte paraparë që të mbahen më 18 dhjetor të vitit të kaluar.

Dorëheqja e zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës në nivel politik dhe administrativ, erdhi meqë Qeveria fillojë implementimin e sekuencuar të vendimit për qortimin dhe gjobitjen e atyre që bartin targa ilegale të prodhuara në Serbi.

Katër kryetarët e komunave veriore dorëheqjen e tyre e kishin dhënë të dielën e gjashtë nëntorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore