Kosova

Musliu për rastin në Gllogjan – të arrestuarit kanë parcelë toke afër lokacionit të ngjarjes


Eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu, ka prezantuar një skicë përmes të cilës e ka shpjeguar ngjarjen tragjike të ndodhur në Gllogjan të Deçanit.

Musliu ka thënë se në afërsi të lokacionit ku autobusi kishte ndaluar, gjendet një parcelë në pronësi të të arrestuarve dhe ai ka shprehur dyshimet e veta se “të pandehurit mund të kenë fshehur armën aty”, disa ditë para se të ndodhte tragjedia.

Agim Musliu – Ekspert i çështjeve të sigurisë

“Menjëherë afër ku është ndal autobusi, këta të arrestuarit e kanë një arë në pronësi të tyre, menjëherë afër ku ka ndodhur vrasja. Prej atij vendi deri te vendbanimi, deri te rruga ‘Agron dhe Gazmend Mehmetaj’, që e mban emrin e dy dëshmorëve është distanca rreth, nëse ecni në këmbë 15 min, ecje normale”, ka thënë Musliu.

“Nëse janë këta vrasësit dhe nëse ai ka shkuar në shtëpi të tyre, nëse shkoni me veturë diku 3 minuta e gjysmë. Në vendin ku u ndal autobusi, pasi kanë shtënë në të, në afërsi është ara, është një gardh i vogël dhe ka drunj, që potencialisht vrasësi i cili ka vrarë 3 njerëz në këtë fshat, sigurisht ka qenë i familjarizuar ekziston mundësia që mu këtu gjatë ditës ose dy ditëve paraprakisht ka fshehur armën apo atë çka iu ka deshtë dhe ka shku pa pengesë dhe pa rënë në sy dhe e ka marrë”, ka shtuar ai.

30 ditë paraburgim për tre të akuzuarit për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Vrasja e trefishtë në Gllogjan të Deçanit

Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e parashtruar nga Prokuroria Themelore në Pejë për masën e paraburgimit me kohëzgjatje prej tridhjetë ditësh të të pandehurve H.M, K.M, dhe M.M, të cilët janë ndaluar nën dyshimet për vrasjen e trefishtë që ndodhi në Gllogan të Deçanit.

Gjykata bën të ditur se ekziston dyshimi se të njëjtit mund të kenë kyer veprën për të cilën janë arrestuar.

“Gjykata ka aprovuar propozimin e prokurorisë për caktim të paraburgimit duke pas parasysh dënueshmërinë e lartë të vepres penale nga neni 173 i KPRK-se, faktit se ende nuk janë dëgjuar dëshmitarët dhe të dëmtuarit, fakti se bëhet fjalë për të pandehur që kanë lidhje familjare si dhe duke pas parasysh peshën e veprës dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra dhe pasojat e mëdha të shkaktuar me këtë rast”,

“Rrethana këto që tregojnë rrezikun real se me gjetjen e mundshme të pandehurve në liri apo nën një masë tjetër të sigurisë, të njejtit do të arratisen, do të ndikojnë në dëshmitar osë të dëmtuar, të fshehin prova si dhe të bashkërendojnë mbrojtjen e tyre e me kete te pamundesojne zbardhjen e plote te rastit”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Pejë.

Gjykata sipas detyrës zyrtare vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurve në procedurë mirëpo, gjeti se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Familjarët e shoferit të vrarë: I ndjeri s’ishte i përfshirë në vetëvrasjen e vajzës nga Gllogjani

Vrasja e trefishtë në Gllogjan të Deçanit.

Familja e shoferit të vrarë në Gllogjan më 26 nëntor të këtij viti, ka mohuar kategorikisht mundësinë e implikimit dhe ndikimit eventual të familjarit të tyre tashmë të ndjerit, Gani Gjokaj, në vetëvrasjen e një vajze në Gllogjan.

“Po të kishte diçka të vërtetë këtu, familja e asaj çike ishte dashur të na dërgoj njerëz sipas traditës dhe ia kishim gjetë çaren kësaj pune, ishim përgjigj, por ne nuk kemi marrë asnjë fjalë, asnjë ‘selam’ prej askujt për këta dhe ato fjalë nëse kanë thënë ashtu ata që u arrestuan, janë vetëm me e arsyetu veten”, ka thënë babai i shoferit të vrarë, Xhafer Gjokaj për KOHA.

“Djali im nuk ka qenë i tillë, hyni këtu e deri në Pejë se nuk mundesh me gjet dikë që flet keq për të”, ka vazhduar ai.

“Nëse i paska pas hak dikujt, pse vrasësit kanë vendosur maska kur kanë shtënë drejt autobusit, kur vritet dikush për hakmarrje vritet hapur dhe merret përgjegjësia, e jo kështu”, ka shtuar i njëjti.

Gjokaj, i cili është rreth të 80-tave, ka thënë të dielën se pret që shteti të zbardh tërë rastin dhe të shqiptojë dënimet më të rënda për vrasësit.

“Jam i kënaqur me arrestimet dhe pres dënimet më të rënda për vrasësit që bën masakër edhe në nxënës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore