Lajme

Lista Serbe: Qëllimi ynë është ta rrëzojmë Qeverinë Kurti – në barrikada ishte Radojeçiç


“Lista Serbe nuk bashkëpunon me Qeverinë e Albin Kurtit, sepse ajo punon kundër interesave të popullit serb dhe se qëllimi ynë politik është të rrëzojmë Albin Kurtin nga pushteti, që është në interes të të gjithëve që duan të jetojnë në paqe në këto zona”.

Kështu thuhet në reagimin e Listës Serbe, pas deklaratave të bëra nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Sveçla në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, deklaroi më 2 gusht se Lista Serbe është e “devalvuar politikisht” dhe tha se në ekzekutiv nuk ka as vullnet për të bashkëpunuar me këtë parti, pasi tha se ajo bashkëpunon me grupe kriminale.

Lista Serbe ka thënë se deklaratat e fundit të ministrit Sveçla ilustrojnë më së miri qëndrimin antiserb të Qeverisë Kurti.

“Në deklaratën që dha, ministri Sveçla tha një mori gënjeshtra për nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiç dhe për Listën Serbe në përgjithësi”, thuhet në reagim.

Lista Serbe ka konfirmuar po ashtu se të dielën në barrikada ishte edhe Milan Radojçiç.

“Gjëja më e rëndësishme që, Sveçla nuk guxon ta pranojë është se ai është i vetëdijshëm se sa autoritet ka z. Radojçiq në mesin e serbëve, gjë që u pa më së miri të dielën kur iu bashkua atyre në protesta dhe që ishte me qytetarët dhe kryesinë e Listës Serbe gjatë gjithë kohës, për kënaqësinë e përgjithshme të gjithë të pranishmëve, të cilët atëherë u ndien të sigurtë, sepse ai gjithmonë kur ishte me ta, kujdesej për sigurinë e çdo personi dhe çdo familje në veri”.

Ndryshe, Goran Rakiç është ministër për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, derisa komuniteti serb përfaqësohet me 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Situata në Veriun e Kosovës, pas dy ditësh atmosferë të tensionuar është normalizuar. Të gjitha barrikadat janë hequr nga rrugët të cilët të shpien drejtë dy pikë kalimet kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, të cilët ishin vendosur nga serbët lokal në shenjë kundërshtimi për reciprocitetin për targa dhe letërnjoftime të vendosura nga Qeveria e Kosovës.

Gjithçka kishte nisur më 31 korrik kur një barrikadë ishte vendosur në fshatin në fshatin Rudare në rrugën Mitrovicë – Zveçan – Leposaviq, pasi që në mesnatën e kësaj dite Qeveria e Kosovës pritej të niste zbatimin e vendimit për ndalimin e targave “KM, etj” të lëshuara nga Serbia për veturat e serbëve në Veri të Kosovës, ku u kërkohet t’i regjistrojnë në RKS, si dhe ndalohet hyrja në Kosovë me dokumenta identifikimi të Serbisë, si masë e reciprocitetit, ku do të pajisen me një dokument të posaçëm për hyrje të lëshuar nga Republika e Kosovës.

Ngjarjet më pastaj, pas revoltës së serbëve u zhvilluan shumë shpejtë. Hapin e parë për ta ç’tensionuar situatën e bëri Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Ai pas takimit me Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin deklaroi se ka propozuar shtyrjen e vendimit të Qeverisë për një muaj.

Pas kësaj, Qeveria u zotua se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për një muaj, nëse serbët largojnë barrikadat e vendosura, ndërkaq në mesnatë u lëshuan dokumentet e para për hyrje-dalje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore