Lajme

Latifi për “kornizën e re” për dialog: Mos i shndërroni këto propozime në instrument të luftës partiake, të mendojmë për shtetin


Korniza e re për marrëveshjen finale mes Kosovës e Serbisë e publikuar nga Albanian Post, ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë.

Profesori i filozofisë dhe komentatori politik, Blerim Latifi, ka kërkuar nga politikanët, partitë dhe opinionistët që mos të nguten për të dhënë përfundime rreth këtyre propozimeve, “pa i zbërthyer mirë e mirë, me gjakftohtësi e racionalitet”.

“Njerëzit racionalë nxjerrin përfundime pas hulumtimit të gjithanshëm mbi një çështje. Budallenjtë nxjerrin përfundime pa menduar dy herë. Është koha e fundit të tregoni cilës anë i përkisni”, ka shkruar profesori Latifi në Facebook.

Ai ka porositur që propozime të mos shndërrohen në instrument të luftës partiake për t’i kënaqur militantët e papunë dhe për të përfituar ndonjë votues për partinë.

“Është koha e fundit të mendojmë ma shumë për fatin e shtetit, se për fatet e partive. Sepse, tek e fundit, nëse fati i shtetit shkon keq, askujt nuk do t’i hyjnë në punët fitoret e partive. E as postet që burojnë prej tyre”.

Sipas kornizës të cilën e ka publikuar Albanian Post, në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.

Ky është plani i paraqitur në kornizën e re për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz.

Me marrëveshjen e vitit të ardhshëm (nëse pranohet propozimi) Kosovën e pranojnë edhe pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur të Bashkimit Evropian, kurse Serbia do të përfitojë një ndihmë masive financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si fuqia e rajonit.

Ekskluzive, “korniza e re” në dialog: Marrëveshje përmbajtësore vitin e ardhshëm, finalja pas 10 vjetësh – Kosova fiton njohje nga 5-shja e BE’së, anëtarësim në organizata; Serbia përfiton ndihma masive

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore