Lajme

Hoxhaj: Kosova javët e fundit po udhëhiqet nga frika – Osmani e Kurti po degradojnë politikën e jashtme me sllogane


Vjosa Osmani, Enver Hoxhaj, Albin Kurti

Deklarata e Albin Kurti për luftë dhe ideja e Vjosa Osmanit për një traktat të mbrojtjes së ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, sipas ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, përveç që po shpërfaq paaftësinë e liderëve për ta udhëhequr Politikën e Jashtme, ka për qëllim mbjelljen e një atmosfere frike kështu për ta zëvendësuar temat e brendshme të krizës ekonomike me sllogane diplomatike.

Për deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kosova javët e fundit po udhëhiqet nga psikologjia e frikës.

“Kjo nuk po bëhet për ta mbrojtur shtetin dhe sovranitetin, por për ta përmbushur egoizmin personal dhe populizmin partiak!” thotë Hohaj duke shtuar se “kjo është kohë që kërkon vendosmëri, maturi dhe qëndrueshmëri. Nuk është kohë e parullave si frymëzime të çastit drejt moçalit politik, nga ku s’mund të dalim assesi! Tani, takimin e 18 gushtit, a do ta filloni nga mos sulmi, apo nga mbrojtja?”

Më tej Hoxhaj ka kritikuar liderët institucional për mungesë të qëllimeve dhe strategjive konkrete në Politikën e Jashtme, duke thënë se këta të fundit po udhëheqin diplomacion kosovare me sllogane.

“Konceptualisht, marrëveshja për mos sulm dhe e traktatit të mbrojtjes reciproke, i takojnë kohës në mes të dy luftrave botërore! Në një kohë të sotme kur edhe Suedia dhe Finlanda po anëtarësohen në NATO, duke kërkuar mbrojtje kolektive nga ajo!”, ka shtuar Hoxhaj.

Ideja e traktatit të mbrojtjes e cila u dha nga Vjosa Osmani në konferencën e fundit me homologun e saj nga Shqipëria, Bajram Begaj, sipas ish-kryediplomatit kosovar është serioze vetëm nëse do të ishte diskutuar dhe koordinuar paraprakisht me Shqipërinë.

“Kosova ka një Partneritet Strategjik me Shqipërinë nga janari i 2014, i dalë nga mbledhje të qeverisë të përbashkëta, marrëveshje të nënshkruara, me sekretariat që koordinon tema dhe ku prioritet i lartë është fusha e sigurisë!” bënë të ditur Hoxhaj duke shtuar se “Sigurisht, që ky mekanizëm do merrej me temën dhe përmbajtjen e traktatit para se të miratohej në Kuvend! Duket se nuk e dinë këtë? Por, të paktën, besoj që e dinë që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe që një traktat i tillë nuk ndodh pa koordinim me të!”

Më tej Hoxhaj sugjeron që të shfrytëzohet deri në maksimum situata e krijuar gjeopolitike pas agresionit rus në Ukrainë, në atë mënyrë që të rriten kapacitetet ushtarake të Kosovë, për të izoluar Serbinë në rajon dhe anëtarësuar Kosovën në NATO.

“Jam shumë për bashkëpunimit me Shqipërinë, si adresë kryesore e hartimit të Partneritetit Strategjik! Por, shqetësimi kryesor është paaftësia e tyre për të shfrytëzuar mundësitë pas rastit të Ukrainës, për t’u bërë të paktën pjesë e Partneritetit për Paqe të NATO-s!”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore