Kosova

Hovenier dhe Çeku diskutojnë për investimet në objektet e trashëgimisë kulturore


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, të martën është takuar me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çekun, me të cilin diskutoi për investimet strategjike në objektet dhe institucionet e trashëgimisë kulturore.

Këtë e ka bërë të ditur Hovenier, përmes një postimi në rrjetin social ‘Twitter’.

“Me ministrin Hajrulla Çeku diskutuam se si investimet strategjike në objektet dhe institucionet e trashëgimisë jo vetëm që do të ruajnë diversitetin e pasur, multietnik kulturor të Kosovës, por do të angazhojnë rininë e saj të talentuar, duke ofruar aftësi dhe vende pune, ndërkohë për të promovuar krenarinë për trashëgiminë dhe arritjet e Kosovës”, ka shkruar Hovenier.

Ndërsa, tutje është shprehur se ka privilegjin që të shërbejë në Kosovë.

“Duhet falënderuar njerëzit e Kosovës që kanë punuar për të ndërtuar një shtet të suksesshëm. Është nder për karrierën time që kam punuar në procese që kanë pasur të bëjnë për Kosovën dhe nder që do të punojë këtu. Ka ende shumë punë për të bërë, si në çdo shtet. SHBA-ja është partnere e qëndrueshme e Kosovës”.

Gjithashtu, Hovenier potencoi se do të vazhdoj që të punojë me institucionet e Kosovës.

“Do të punojmë me ju, me Qeverinë, me shoqëritë civile, me qytetarët tuaj. Zotimet e presidentes për zhvillimin e institucioneve të pavarura, sistemit gjyqësor, janë shumë të rëndësishme që të ecim përpara drejt institucioneve euro-atlantike. Është fillim i një dialogu dhe është një hap i mrekullueshëm”, tha ai në fjalimin e tij.

Ndryshe, edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrës dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka takuar Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ku me ç’rast ajo ka folur mbi objektivat e dikasterit të cilën ajo e drejton lidhur me zhvillimin e industrisë, dhe tërheqjen e investimeve me qëllim të rritjes së punësimit dhe përmirësimit të bilancit tregtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore