Lajme

Hoti, Kurtit: Tri vjet qeverisje pa asnjë orientim zhvillimor, po promovon qeset plastike


Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti.

Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se për tri vjet të qeverisjes Kurti, ka mungesë të projekteve në arsim, shëndetësi, energjetik e në bujqësi.

Sipas tij, për këtë arsye kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po promovon shpërndarjen e qeseve plastike në dyqane.

“Është fundi i vitit 2023, që është viti i tretë i qeverisjes majtiste LVV-Guxo. Është koha kur do të duhej të promovoheshin projektet e kryera gjatë tri viteve në rrugë, në arsim e shëndetësi, në energjetikë e në ujitje të tokave bujqësore”.

“E kur mungojnë këto projekte, atëherë vetë Kryeministri promovon shpërndarjen e qeseve plastike nëpër dyqane, sado e rëndësishme që është kjo për ambientin, por nuk është esencial në aspektin ekonomik dhe jetën e rënduar të qytetarëve”, ka shkruar Hoti në rrjetin social ‘Facebook’.

Ai tutje ka thënë se për tri vjet s’ka pasur asnjë orientim zhvillimor, “me normë të zhvillimit ekonomik që gati ka rënë në zero”.

“Tri vjet të qeverisjes vetëm duke shpërndarë subvencione e transfere, të cilat kanë shkuar nga 32% në mbi 42% të buxhetit total”.

“Tri vjet qeverisje me rënie të investimeve kapitale nga rreth 23% të buxhetit total sa ishin në qeveritë paraprake, në vetëm 15% të buxhetit total”.

Hoti ka shtuar se, “kjo lloj qeverisjeje vetëm zhvillim nuk sjell”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të hënën së bashku me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë, Liburn Aliu gjatë vizitimit në disa dyqane në qendër të Prishtinës, ka thënë se pagesa e qeseve plastike do të shkojë në buxhet të shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore