Pajisje

Hoteli hapësinor, gati në 2027-ën


Një hotel jashtë kësaj toke është vetëm disa vite larg për t’u kthyer në realitet.

Kjo dekadë do të dëshmojë fillimin dhe përfundimin e hotelit të parë në hapësirë. Deklaratën e bëri të ditur grupi që qëndron pas ndërtimit të tij, Asambleja Orbitale.

Kompania planifikon të fillojë ndërtimin e Stacionit Voyager në vitin 2025. Hoteli do të ndërtohet në orbitën e ulët të Tokës dhe mund të jetë funksional brenda vitit 2027, raportoi agjencia mediatike, Daily Mail.

Vizitorët nuk do të paguajnë vetëm për risinë e projektit por, sipas kompanisë, do të kenë një mori lehtësish në bord.

Planifikohet të ketë restorante, spa, një kinema, palestra, biblioteka, vende koncertesh, salla dhe bare me pamje nga Toka. Sipas kompanisë, në hotel do të mund të akomodohen rreth 400 persona.

Nevojat e domosdoshme, si dhomat për ekuipazhin, ajri i pastër, uji dhe energjia elektrike do të zënë gjithashtu një pjesë të objektit hapësinor.

Asambleja Orbitale shpreson t’u shesë disa pjesë të hotelit palëve të interesuara të përhershme. Këtu përfshihen agjencitë qeveritare, të cilat kërkojnë të përdorin objektin si një qendër trajnimi ose pronarët që kërkojnë të krijojnë një vilë brenda saj.

Raportohet se do të kryejë rrotullimin e plotë rreth globit çdo 90 minuta dhe do të gjenerojë gravitet artificial të ngjashëm me atë në hënë.
Nuk është zbuluar ende asnjë kosto ndërtimi.

“Ky do të jetë revolucioni tjetër industrial”, tha John Blincow, themeluesi i Gateway Foundation, i cili do të drejtojë disa nga hapësirat e Voyager.

Aspekti i rrotullimit është “jetësor”, shtoi ai. Pa gravitet, njerëzit nuk mund të qëndrojnë në një stacion hapësinor për një kohë të gjatë.

Një robot me emrin STAR (Structure Trust Assembly Robot) është projektuar të ndërtojë kornizën e Voyager në orbitë, sapo kompania të përfundojë disa teste të lidhura me gravitetin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore