Shqipëria

Historike, dollari kalon vlerën e euros në Shqipëri


Më shumë se dy dekada u deshën, por rokada u bë!

Dollari amerikan e ka tejkaluar zyrtarisht vlerën e euros në tregun shqiptar, pak ditë pasi valutat mes njëra-tjetrës regjistruan vlerë të njëjtë dhe monedha amerikane filloi të merrte një epërsi të lehtë.

Në Shqipëri, ditën e sotme, 1 dollar këmbehet me 117.07  lekë, ndërsa 1 euro, me 116.99 lekë.

Vlera e euros në fakt, prej kohësh, është në një rënie drastike në Shqipëri, ku prej marsit 2022, është zhvlerësuar me 10 lek në tregun e këmbimit valutor.

Këmbimi i euro-s në lek
Këmbimi i dollarit në lek

Dollari nga ana tjetër, prej marsit, ka fituar mbi 7 lekë vlerë kundrejt monedhës shqiptare.

Monedha evropiane ka qenë në hegjemoni të plotë të tregut prej dy dekadash, ku rënia e dollarit pas sulmit të kullave binjake më 11 shtator 2001 dhe dy kriza të njëpasnjëshme, bënë që vlerësimi i kartëmonedhës ikonike amerikane të mbetej në nivele të ulëta.

Sa i përket euros, prej hedhjes së saj në treg në vitin 2003, valuta ka parë ulje ngritje, por gjithnjë është kuotuar shumë lart në tregjet botërore.

As krizat e mëdha në fundviteve 2000 apo fillimviteve 2010, nuk e bënë eurozonën të binte në vlerë.

Megjithatë, një kombinim i krizës nga pandemia, rimëkëmbjes së avashtë dhe efekteve të fundit të luftës në Ukrainë, e ka sjellë në nivele të ulëta historike euron.

Zhvlerësimi i saj madje pritet të jetë edhe më i madh muajt në vijim, duke parë se nuk ka shenja të një rimëkëmbjeje të shpejtë nga krizat. Mbi të gjitha, në kushtet e një gjysmë varësie energjetike nga Rusia.

Pesë vjet më parë, euro shënonte vlera historike kundrejt lekut, të cilat shkonin deri edhe në 139 lek për një euro.

Sot, situata ka ndryshuar tërësisht, për një sërë faktorësh si inflacioni i lartë në eurozonë për shkak të luftës në Ukrainë dhe mbingopjes së tregut vendas me valutën evropiane, për shkak të prurjeve të mëdha të turizmit.

Do të jetë kjo një pikë shënjuese e gjunjëzimit të euros përballë dollari, duke parë se ky i fundit po ngrihet fuqishëm aty ku ka qenë përpara viteve 2000?

Mbetet për t’u parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore