Lajme

Hiroshima kujton bombardimin atomik mes kërcënimit të Rusisë


Hiroshima kujtoi të shtunën e 6 gushtit bombardimin atomik të 77 viteve më parë.

Kjo, ndërsa zyrtarët paralajmëruan kundër ngritjes së armëve bërthamore dhe rritjes së frikës për një tjetër sulm të tillë në mes të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës.

“Armët bërthamore janë të pakuptimta. Ata nuk garantojnë siguri – vetëm vdekje dhe shkatërrim”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i cili iu bashkua lutjes në Parkun e Paqes në Hiroshima.

Shtetet e Bashkuara hodhën bombën e parë atomike në botë në Hiroshima më 6 gusht të vitit 1945.

Kjo, duke shkatërruar qytetin dhe duke vrarë 140 mijë njerëz.

Ajo hodhi një bombë të dytë tre ditë më vonë në Nagasaki, duke vrarë 70 mijë të tjerë.

Japonia u dorëzua më 15 gusht, duke i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore dhe agresionit gati gjysmë shekullor të Japonisë në Azi.

Frika për një bombë të tretë atomike është rritur mes kërcënimeve të Rusisë për sulm bërthamor qëkurse filloi lufta kundër Ukrainës në shkurt.

Kryebashkiaku i Hiroshima-s, Kazumi Matsui, në deklaratën e tij të paqes, akuzoi Putinin se “përdor popullin e tij si instrument lufte dhe se ka vjedhur jetën dhe përditshmërinë e civilëve të pafajshëm në një vend tjetër”.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës po ndihmon në ndërtimin e mbështetjes për parandalimin bërthamor, tha Matsui, duke i kërkuar botës të mos përsërisë gabimet që shkatërruan qytetin e tij 77 vjet më parë.

Të pranishmit mbajtën një moment heshtjeje me zhurmën e një kambane paqeje në orën 08:15 të mëngjesit, koha kur avionët amerikanë B-29 hodhën bombën në qytet.

U lëshuan rreth 400 pëllumba, të konsideruar si simbole të paqes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore