Lajme

“Hiqeni Ndërmarrje e përbashkët kriminale nga aktakuza”


Ekipi mbrojtës i ish-inspektorit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, e ka dorëzuar në Gjykatën Speciale një parashtresë, përmes së cilës e sfidon formën e ndjekjes penale të Selimit në kuadër të asaj që Specialja po e quan “Ndërmarrje e përbashkët kriminale’’.

David Young dhe Geoffrey Roberts, avokatë të Selimit, kanë thënë se “Ndërmarrja e përbashkët kriminale” është konstrukt i krijuar përmes një analize selektive të një numri të kufizuar të çështjeve pas Luftës së Dytë Botërore dhe konventave ndërkombëtare.

“Në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe të drejtat e njohura të njeriut, është e ndaluar të zbatojë në mënyrë retroaktive ligjin penal, duke përfshirë mënyrat e përgjegjësisë, të cilat nuk ishin të zbatueshme dhe të detyrueshme në Kosovë në kohën e kryerjes së veprave penale që pretendohet se ishin kryer”, kanë thënë ata.

“Kështu, format e vetme të përgjegjësisë për të cilat Selimi mund të ndiqet penalisht janë ato që do të kishin qenë të zbatueshme për të në mars 1998 në Kosovë. Kjo thjesht nuk përfshin NPK”, thuhet në parashtresë.

Ekipi mbrojtës i Selimit kërkon nga gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, që të garantojë se Gjykata Speciale nuk ka juridiksion mbi përgjegjësinë e Ndërmarrjes së përbashkët kriminale.

“Të urdhërojë Zyrën e Prokurorit të Specializuar t’i heqë paragrafët 32-52 nga aktakuza për aq kohë sa ato kanë të bëjnë me ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

Rexhep Selimi akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore