Lajme

Hill për sulmin terrorist: Përgjegjësit të mbahen përgjegjës


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se duhet zbuluar se çfarë ka ndodhur në Banjë të Zveçanit dhe kush ishte i përfshirë, teksa ka shtuar se duhet gjetur përgjegjësi dhe se “duhet të sigurohemi që kjo situatë tragjike të mos përsëritet më”.

Këto komente, Hill i bëri në një intervistë për “EuronewsSerbia”, derisa foli për sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator.

Diplomati amerikan, duke komentuar deklaratën e kryekriminelit Milan Radojiçiç, i cili mori përgjegjësinë për sulmin terrorist, theksoi se “nuk e kupton si dikush mund të mendojë se është mirë që Serbia të merret me aktivitete të tilla”.

Milan Radojiçiç

Megjithatë, sipas vlerësimit të tij, veprimi më i duhur për Kosovën dhe Serbinë në këto momente do të ishte rikthimi në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Rruga është të kthehemi në dialog, e di që është i mërzitshëm, ne e dimë se cilat elemente janë në tryezë dhe duhet t’i japim [Miroslav] Lajçak-ut një shans për të përfunduar atë që filloi. Janë të gjitha elementet për këtë, marrëveshja vetëm duhet të përfundojë”.

Si një pjesëmarrës në negociata, Hill pohon se nuk i pëlqejnë parakushtet, në vend të saj preferon që kur njerëzit të ulen në tavolinë “të përballen me çështjet që duhet zgjidhur”.

Sa i përket masave të mundshme ndaj Serbisë, pas asaj që ndodhi në Banjë, fillimisht Hill kërkon që të zbulohet ajo që ndodhi.

“Kur bëhet fjalë për masat kundër Serbisë, është e qartë se ne duhet të zbulojmë se çfarë ndodhi: çfarë po bënte Radojiçiç atje dhe pse, dhe që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi”, pohoi, duke shtuar se “ne kemi nevojë për paqe dhe stabilitet dhe mënyra më e mirë është kthimi në dialog”.

Hill nuk preferoi që të flasë në lidhje me rolin e terroristit Radojiçiç në këtë mes, duke ia lënë në dorë institucioneve kompetente.

“Ajo që shoh është se zoti Radojiçiç akuzohet për disa vepra të rënda kriminale dhe do të thosha se i takon prokurorëve të flasin për këtë”.

“Ne kemi një pyetje: si mund ta parandalojmë që të mos ndodhë përsëri? Si mund të mendojë dikush se duke hyrë në territorin e Kosovës, duke grumbulluar armë, duke shkaktuar frikë te njerëzit, duke thyer një manastir, po i kontribuon paqes dhe stabilitetit në këtë pjesë të botës. Duhet të dimë pse dikush e bëri këtë”, deklaroi.

Çfarë ndodhi?

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua të martën nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake.

Pas këtyre thirrjeve të qarta të ndërkombëtarëve, Beogradi njoftoi se ka filluar reduktimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore