Shqipëria

Hill: Mbështesë fuqishëm iniciativën e Ballkanit të Hapur, Shqipëria dhe Serbia po bashkëpunojnë si kurrë më parë


Christopher Hill

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, në një konferencë për media, ka ripërsëritur mbështetjen e tij të fuqishme për iniciativën rajonale të Ballkanit të Hapur, iniciativë e cila sipas tij synon të bashkojë në një platformë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, pavarësisht statusit të tyre, duke ofruar mundësi bashkëpunimi sidomos në aspektin e hapjes së kufijve përmes së cilës mund bëhet lëvizja e lirë e mallrave e të njerëzve.

“Kufijtë në Ballkan nuk duhet t’i ndajnë shtetet, por t’i bashkojë ato. Ka përpjekje të shumta për integrimin rajonal dhe njëra prej tyre është Ballkani i Hapur të cilën e mbështes fuqishëm si nismë”, ka thënë ambasadori Hill i cili është një njohës i mirë i dinamikave politike në Gadishullin Ballkanik.

Top-diplomati amerikan suksesin e Ballkanit të Hapur e ka ilustruar përmes Shqipërisë, e cila sipas tij ka fituar shumë nga hapja e kufijve si rrjedhojë e nismës në fjalë.

Ai madje nuk ka nguruar ta quaj një hap të tillë si historike pasi sipas tij nëpërmjet Ballkanit të Hapur Shqipëria dhe Serbia po punojnë së bashku si kurrë më parë.

“Çështja e afrimit të tregjeve ekonomike në rajon është në shumë mënyra sfida kryesore e këtij shekulli, sepse në fund të shekullit të kaluar pati një distancim në mes të sheteteve në Gadishullin Ballkanik çëshjta kryesore për fillimin e këtij shekulli ishte përcaktimi i mënyrave se si këto shtete do të takohen përsëri brenda një tregu të vetëm ekonomik”, ka pohuar ai në Konferencën Rajonale për Lehtësimin e Marrëdhënieve Tregtare të Vendeve të Ballkanit e organizuar nga USAID, Banka Botërore dhe Qeveria e Zvicrës.

Mosbesimi në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor, për Hill, nuk duhet të jetë një faktor i cili do të pengojë lirinë e tregtimit të mallrave në mes të këtyre vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore