Lajme

Hill: Asociacioni në përputhje me Marrëveshjen e vitit 2013, do t’i sqarojmë disa gjëra me Kurtin dhe Vuçiç-in


Christopher Hill

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Serbi, Christopher Hill, është shprehur këtë të enjte se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe “do të formohet në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe modeli i saktë duhet të përcaktohet nga të dyja palët në negociata”.

“Asociacioni është pjesë e dialogut të Brukselit që nga viti 2013 dhe duhet të formohet në mënyrë që komuniteti serb, kryesisht në veri të Mitrovicës, të shohë se si do të jetë e ardhmja e tij. Mendoj se tani po shikojnë shumë modele që janë në përputhje me standardet evropiane”, tha Hill, transmeton media serbe Danas.

Ndërkaq, i pyetur për afatin e formimit të këtij mekanizmi, para apo pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale për katër komunat në veri të Kosovës me 23 prill, ai nuk dha ndonjë afat të caktuar, por tha se “nuk mund të flasë për afate kaq të shkurtra, Gabriel Escobar foli për disa përcaktime kohore afatgjata dhe se gjithçka mund të përfundojë deri në fund të vitit 2023”.

“Por mendoj se duhet të përpiqemi të ecim shpejt, për të garantuar që të respektohen interesat e komunitetit serb në Kosovë”, shtoi diplomati amerikan.

Negociatat e Ohrit të 18 marsit, ku u arrit një dakordim në mes të Prishtinës dhe Beogradit për aneksin e planit të zbatimit të marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë i konsideroi si “shumë të suksesshme”.

“Mendoj se kanë bërë përparim. Do të doja të shihja disa gjëra më konkrete, por mendoj se po ecim shumë qartë drejt zbatimit të këtij procesi të dialogut. Duhet ende shumë për të bërë, veçanërisht në artikulimin se si do të duket Asociacioni, kjo është një çështje kyçe”, shtoi ai.

Po ashtu, Hill njoftoi se është duke u biseduar për organizimin e një takimi të ri së shpejti në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe nënvizoi se do të jetë një mundësi për të “sqaruar disa gjëra”.

Gjithashtu, diplomati amerikan tha se gjëja më e rëndësishme për shtetin që ai e përfaqëson në Ballkanin Perëndimor janë marrëdhëniet e mira mes shteteve dhe potencoi se kjo është arsyeja që Uashingtoni mbështet “fuqishëm nismën e Ballkanit të Hapur, si dhe të gjitha iniciativat e tjera rajonale”.

“Duhet të ketë dukshëm më shumë iniciativa rajonale në mënyrë që të krijohen modele më të mira bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Dhe çështja e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është pjesë e procesit të integrimit rajonal”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore