Lajme

Hetimet për shfaqjen e flamurit “Autoctonus”, Osmani: Të bëhen sipas standardeve ndërkombëtare


Foto: Albanian Post

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media së bashku me kryetarin e Dragashit, gjatë një vizitë në këtë komune ka folur edhe për reagimet që pasuan pas vizitës së Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht në dy komunat me shumicë shqiptare – Tetovë dhe Çair – dhe për paralajmërim e fillimit të hetimeve pas shfaqjes së flamurit “Autoctonus” në koncertin që u organizua në Tetovë për nder të vizitës së Kurtit.

Fillimisht Osmani tha se në tubime nuk mund të kontrollohen të gjithë pjesëmarrësit se çfarë kanë në dorë, duke përjashtuar mundësinë që një gjë e tillë të ketë qenë e përgatitur, ndërsa kërkoi nga institucionet maqedonase që çdo lloj hetimi të bëhet në bazë të standardeve më të larta ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

“Në qoftë se institucionet maqedonase kanë ndonjë shqetësim, e vetmja kërkesë që ne kemi si institucione të Kosovës është që të bëhet në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, standardet më të larta të mbrojtjes së komuniteteve jo shumicë”, tha Osmani.

Duke bërë këtë, Osmani potencoi se respektohet roli shtetformues që komuniteti shqiptar ka pasur në ndërtimin e vetë shtetit të Maqedonisë së Veriut, “në integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, dhe këto rol të jashtëzakonshëm pozitiv vazhdon ta luajë edhe sot dhe këtë e dinë të gjitha institucionet e Maqedonisë së Veriut”.

Në komunikatën e lëshuar nga zyra e kryeministrit maqedonas, Dimitar Koavaçevski, thanë se pas shfaqjes së flamurit “Autoctonus”, është kontaktuar edhe ambasadori i Kosovës atje, “lidhur me ikonografinë e përmendur të përdorur gjatë vizitës private të kryeministrit të Kosovës në vend”, por një gjë të tillë e mohoi e para e vendit.

“Si udhëheqëse e politikës së jashtme kamë kërkuar informacione nga ambasada se mos kanë pranuar diçka zyrtarisht, deri tash nuk ka pasur diçka të tillë”, pohoi presidentja, duke insistuar se një gjë e tillë “ka qenë si lëvizje e një qytetari, por jo di diçka e organizuar”.

Ndryshe, Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka kërkuar nga organet kompetente që organizatorët e pritjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në dy komunat me shumicë shqiptare – Tetovë dhe Çair – të dënohen, kjo pas shfaqjes së flamurit “Autoctonus” në koncertin që ishte organizuar për nder të vizitës së Kurtit në Tetovë.

“Organizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair duhet të sanksionohen ligjërisht për shkeljen e dispozitave ligjore për përdorimin e flamurit dhe himnit shtetëror dhe flamujve dhe simboleve të komuniteteve, duke injoruar plotësisht simbolet e shtetit. Lidhur me këtë, kërkoj nga organet kompetente që të kryejnë sa më shpejt procedurat e parapara”, thuhet në reagimin e tij në Facebook.

Sipas tij, pika kryesore e një ikonografie provokuese nacionaliste “që promovon ide shoviniste madhështore përfaqëson nxitjen e urrejtjes dhe intolerancës etnike, që pa mëdyshje sulmon parimet dhe vlerat themelore të Traktatit Kornizë dhe konceptin e Maqedonisë si shtet multietnik”.

“Mënyra e realizimit të idesë së riemërtimit të rrugës në komunën e Çairit është në kundërshtim me parimin e debatit demokratik dhe respektimit të trashëgimisë historike të të gjitha komuniteteve në vend”, potencoi ai.

Në këtë drejtim, Pendarovski ka theksuar se pret që shërbimet kompetente inspektuese të kontrollojnë nëse vendimi është respektuar parimi i shumicës së dyfishtë, “i cili duhet të përfshijë votat e komuniteteve jo shumicë në atë komunë”.

Të shtunën edhe zyra e kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski, dënoi shfaqjen e flamurit “Autoctonus”, që u pa në koncertin e organizuar nga Komuna e Tetovës për nder të vizitës së Kurtit, duke thënë se një gjë e tillë është në kundërshtim me ligjet e këtij vendi.

“Zyra e Kryeministrit vlerëson se vendosja e flamujve që nuk janë flamuj kombëtarë është në kundërshtim me protokollet dhe ligjet për organizimin e manifestimeve në prani të shtetarëve të vendeve të huaja”, thanë fillimisht nga kabineti i Kovaçevski-t.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten ka vizituar Maqedoninë e Veriut, përkatësisht dy komunat e banuara me shumicë shqiptare – Çair dhe Tetovë.

Kurti nuk u takua me liderët e partive më të mëdha shqiptare atje, të cilit janë pjesë e ekzekutivit maqedonas, specifikisht me Ali Ahmetin – liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim – dhe Arben Taravari – kryetarin e Aleancës Shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore