Lajme

Vizita “private” e Kurtit nxit reagimin e Shkupit, nisin hetimet për shfaqjen e flamurit “Autoctonus”


Momenti i shfaqjes se flamurit “Autoctonus”

Zyra e kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski, ka komentuar vizitën e kreut të ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht në dy komunat e banuar me shumicë shqiptare – Çair dhe Tetovë – duke e konsideruar si një vizitë “private”, kjo pasi që nuk takoi asnjë nga përfaqësuesit e qeverisë maqedonase, por as ata shqiptarë që janë pjesë e saj.

Shkupi zyrtar dënoi shfaqjen e flamurit “Autoctonus”, që u pa në koncertin e organizuar nga Komuna e Tetovës për nder të vizitës së Kurtit, duke thënë se një gjë e tillë është në kundërshtim me ligjet e këtij vendi.

“Zyra e Kryeministrit vlerëson se vendosja e flamujve që nuk janë flamuj kombëtarë është në kundërshtim me protokollet dhe ligjet për organizimin e manifestimeve në prani të shtetarëve të vendeve të huaja”, thanë fillimisht nga kabineti i Kovaçevski-t.

“Njëkohësisht, lloji i ikonografisë që vërehet në manifestim në prani të një përfaqësuesi të lartë të një shteti të huaj është i papërshtatshëm dhe i palejueshëm në një shtet anëtar të OKB-së dhe në një vend anëtar të NATO-s, dhe lidhur me këtë ju informojmë se SVR Tetovë po merr masa për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rastit”.

Po ashtu, bëhet me dije se zyra e kryeministrit maqedonas gjatë ditës ka kontaktuar edhe ambasadorin e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, “lidhur me ikonografinë e përmendur të përdorur gjatë vizitës private të kryeministrit të Kosovës në vend”.

I dënueshëm potencuan se është edhe “fakti që në manifestimin e organizuar në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk është kënduar himni i Maqedonisë dhe nuk është vendosur flamuri kombëtar i Maqedonisë”.

“Theksojmë se të gjitha vendet e rajonit që duan që ai të jetë i begatë, i zhvilluar ekonomikisht dhe i integruar në Bashkimin Evropian dhe që duan të ndërtojnë marrëdhënie miqësore me fqinjët e tyre, duhet me të gjitha veprimet e tyre të thellojnë miqësitë midis vendeve dhe mes qytetarëve dhe insistojnë të respektojnë, para së gjithash, festimet shtetërore si dhe specifikat multikulturore të secilit prej vendeve të rajonit”.

“Republika e Maqedonisë së Veriut si shoqëri funksionale multikulturore dhe multietnike është shembull i një vendi që respekton diversitetin dhe ndërton intensivisht marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët e saj, të bazuara në respekt dhe bashkëpunim, i cili duhet të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të vendit dhe të rajonit në mënyrë intensive.

Kundërshtim shprehën edhe për emërimin e rrugës në Komunën e Çairit në emrin e veprimtarit të shquar shqiptar, Adem Demaçi, e cila para kësaj quhej “Brigada e dytë sulmuese maqedonase”.

“Theksojmë se vetëqeverisja lokale është dashur që në periudhën e kaluar të bëjë punën e saj më me përkushtim dhe tash të ndërtojë një rrugë të re e cila do të emërtohet sipas procedurave ligjore”, thuhet në reagimin e zyrës së kryeministrit Kovaçevski.

Lexo edhe këtë: Vizita e Kurtit në Maqedoninë e Veriut, përfshihen edhe LSDM e VMRO-DPMNE në debat

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten ka vizituar Maqedoninë e Veriut, përkatësisht dy komunat e banuara me shumicë shqiptare – Çair dhe Tetovë.

Në Çair kreu i ekzekutivit kosovar, së bashku me kryetarin e kësaj komune, Visar Ganiu, përuroi një rrugë që tani e tutje do ta mbaj emrin e veprimtarit të shquar shqiptar, Adem Demaçi.

Pas Çairit, Kurti vizitoi Komunën e Tetovës, madje aty iu kishte rezervuar një pritje madhështore, ku për nder të vizitës së tij kjo komunë kishte organizuar një koncert në sheshin kryesor të qytetit.

Mirëpo, në këtë vizitë, ai nuk takoi fare zyrtarët qeveritarë, as ata maqedonas, por as ata shqiptarë.

Ai u takua vetëm me opozitën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht me Kryetarin e Lëvizjes Besa, njëherit kryetarin e Tetovës, Bilall Kasami, liderin e Lëvizjes Demokratike – e formuar së voni – Izet Mexhiti, dhe udhëheqësin e Alternativës, Afrim Gashi.

Kryeministri Kurti nuk u takua me liderët e partive më të mëdha shqiptare atje, të cilit janë pjesë e ekzekutivit maqedonas, specifikisht me Ali Ahmetin – liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim – dhe Arben Taravari – kryetarin e Aleancës Shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore