Lajme

Vizita e Kurtit në Maqedoninë e Veriut, përfshihen edhe LSDM e VMRO-DPMNE në debat


Albin Kurti gjatë koncertit të organizuar në Tetovë për nder të vizitës së tij.

Vizita e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht në dy komunat e banuara me shumicë shqiptare – ku takoi vetëm opozitën shqiptare atje, duke anashkaluar kështu zyrtarët qeveritarë si nga radhët e shqiptarëve, njashtu edhe ata maqedonas – përveç kritikave që iu bënë nga komentatorë politikë dhe liderë të partive politike brenda vendit, ka nxitur reagime me akuza dhe kundër akuza edhe në mes të dy partive më të mëdha maqedonase.

Shkak i përplasjes në mes të LSDM-së – që udhëheqë me ekzekutivin maqedonas – dhe VMRO-DPMNE-së – partia më e madhe opozitare në Maqedoninë e Veriut – u bë përurimi i një rruge në Komunën e Çairit me emrin e veprimtarit të shquar shqiptar, Adem Demaçit, e cila deri më tani quhej “Brigada e dytë sulmuese maqedonase”.

Kurti ishte pjesëmarrës në përurimin e kësaj rruge që tani e tutje do ta mban emrin “Adem Demaçi”, me ftesë të kryetarit të Çairit, Visar Ganiu.

Reagimi i parë do të vinte nga VMRO-DPMNE-ja, të cilët i kërkuan LSDM-së të përgjigjet se kryeqytet i kujt është Shkupi, “i Maqedonisë së Veriut apo i ndonjë shteti tjetër?”.

“Dje në Shkup, pa asnjë simbol maqedonas dhe me pompozitet të madh dhe në prani të një kryeministri të një shteti tjetër, u zëvendësua emri i ‘Brigada e Dytë Sulmuese Maqedonase’ në emër të luftëtarit kosovar Adem Demaçi. Rruga mban emrin e Demaçit, i cili nuk ka pika kontakti as me historinë e Maqedonisë dhe as me Shkupin, por kishte ideale nacionaliste të lidhura me vende të tjera”, thanë nga VMRO-DPMNE.

Por, nuk vonoi kundërpërgjigjja nga LSDM-ja, madje të njëjtit deklaruan se ajo që duhet të përgjigjet për vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Maqedoninë e Veriut “janë VMRO-DPMNE-ja”, sepse sipas tyre, “ata janë në partnerë me opozitën shqiptare duke bashkuar forcat në nivel qendror dhe lokal”, të cilët ishin të vetmit që kreu i ekzekutivit kosovar i takoi gjatë vizitës së tij atje.

“Është Hristijan Mickoski ai që duhet të dalë para opinionit dhe të përgjigjet. Partnerët joformal të koalicionit Mickoski dhe DPMNE janë organizatorë të ngjarjeve në Shkup dhe Tetovë. [Bilall] Kasami u bë kryetar komune me mbështetjen dhe votat e DPMNE-së dhe bashkëpunimi i tyre i përbashkët vazhdon në Këshill, në Kuvend, por edhe për tema të tjera”.

“Së bashku me Mickoskin, ata bashkuan forcat për të formuar një shumicë të re parlamentare dhe një qeveri të re, e cila dështoi. Publiku e di se Mickoski ka propozuar Afrim Gashin për anëtar të ri të Qeverisë. Nëse sot DPMNE është gjoja e tmerruar nga veprimet e tij, le t’i drejtohen atij drejtpërdrejt. Si parti pasardhëse e bashkëpunëtorit të fashizmit, Vanço Mihailov, DPMNE nuk ka kredibilitet të flasë për historinë, as për të tashmen, e më së paku për të ardhmen e shtetit”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Reagim për pritjen e kryeministrit Kurti në Çair dhe Tetovë pati edhe nga Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski.

Ai përmes një postimi në Facebook, tha se e dënon publikisht “protokollin dhe organizimin” gjatë pritjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Komunën e Çairit, si dhe “vendimin për ndryshimin e emrit të rrugës”.

“Mos këndimi i himnit kombëtar, mosvënia në pah e flamurit kombëtar, këndimi i himnit të një shteti tjetër dhe nënvizimi vetëm i flamujve të komunitetit dhe flamujve të një shteti të huaj është në kundërshtim me Ligjin për përdorimin e flamujve të komuniteteve në Republika e Maqedonisë dhe Ligji për përdorimin e stemës, flamurit dhe himnit të Republikës së Maqedonisë”, shkroi ai.

Ndërsa, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga komuniteti shqiptar i cili jeton në Maqedoninë e Veriut të mos i besojë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, pas vizitës së tij në Çair e Tetovë, meqë sipas tij shefi i qeverisë së Kosovës është mashtrues.

“Mos i besoni mashtruesit Albin Kurti. Në Kosovë i ka bllokuar të gjitha rrugët e projektet, përfshirë edhe rrugën e Plavës”, ka shkruar fillimisht Haradinaj në Facebook.

Sipas Haradinajt, Kurti pasi ka kuptuar që nuk po mund t’i mashtrojë kosovarët me rrugë e projekte, ka shkuar t’i mashtrojë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut për rrugën Tetovë – Prizren.

“Edhe në Shqipëri tentoi njëjtë, por nuk i besuan dhe e përzunë. As ju mos bini pre e mashtrimeve të tij”.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten ka vizituar Maqedoninë e Veriut, përkatësisht dy komunat e banuara me shumicë shqiptare – Çair dhe Tetovë.

Në Çair kreu i ekzekutivit kosovar, së bashku me kryetarin e kësaj komune, Visar Ganiu, përuroi një rrugë që tani e tutje do ta mbaj emrin e veprimtarit të shquar shqiptar, Adem Demaçi.

Pas Çairit, Kurti vizitoi Komunën e Tetovës, madje aty iu kishte rezervuar një pritje madhështore, ku për nder të vizitës së tij kjo komunë kishte organizuar një koncert në sheshin kryesor të qytetit.

Mirëpo, në këtë vizitë, ai nuk takoi fare zyrtarët qeveritarë, as ata maqedonas, por as ata shqiptarë.

Ai u takua vetëm me opozitën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht me Kryetarin e Lëvizjes Besa, njëherit kryetarin e Tetovës, Bilall Kasami, liderin e Lëvizjes Demokratike – e formuar së voni – Izet Mexhiti, dhe udhëheqësin e Alternativës, Afrim Gashi.

Kryeministri Kurti nuk u takua me liderët e partive më të mëdha shqiptare atje, të cilit janë pjesë e ekzekutivit maqedonas, specifikisht me Ali Ahmetin – liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim – dhe Arben Taravari – kryetarin e Aleancës Shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore