Lajme

Hetemi del pak nga hapësirat e komunës, viziton Atiqin në Mitrovicën e Veriut


Erden Atiq dhe Lulzim Hetemi

Kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Adiq, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të enjten, ka njoftuar se ka takuar kryetarin e komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi – i cili shihet rrallë në publik ngase është ngujuar në zyrë – ku në fokus ka qenë realizimi i projekteve në dy komunat e banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.

“Diskutuam për punët e realizuara në komunën e Mitrovicës Veriore dhe për projektet që do t’i realizojmë në vitin që po vjen. Zhvilluam diskutime për çështje me interes për qytetarët e të dyja komunave. Kryetarin Hetemi e urova për angazhimin e tij në realizimin e projekteve për qytetarët e komunës së Leposaviqit”, ka shkruar Atiqi të enjten.

Hetemi, i cili në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit kishte fituar 100 vota, prej 29 majit është ngujuar brenda objektit të komunës së Leposaviqit. Në veri kishin shpërthyer protestat e dhunshme të serbëve lokalë në përpjekje për ta ndalur aksionin e Policisë së Kosovës për t’ua mundësuar kryetarëve të rinj shqiptarë qasjen në objektet e komunave.

Bashkimi Evropian (BE) ka kërkuar nga Kosova të punojë në organizimin e shpejtë të zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – ndërsa Atiq dhe Hetemi, anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), kanë theksuar se janë gati të largohen nga zyrat komunale vetëm nëse shpallen zgjedhjet e reja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore