Lajme

Hedhja e gazit lotsjellës, një nga dy veprat penale të konfirmuara nga Gjykata e Apelit ndaj Valon Ramadanit


Valon Ramadani, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje

Hedhja e gazit lotsjellës në kuvend dhe pengimi i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre, janë dy veprat penanale në aktakuzën me të cilën ngarkohet deputeti i VV-së, Valon Ramadani.

Këtë aktakuzë të ngritur nga Gjykata Themelore, e ka konfirmuar edhe gjykata e shkallës së dytë, Gjykata e Apelit.

Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Apeli e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Ramadani, avokatit Naser Sopjani, e paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, lidhur me kundërshtimet dhe kërkesën për hedhje të aktakuzës.

Gjykata e shkallës së parë e kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën për hedhje të aktakuzës të parashtruar nga mbrojtësi i të pandehurit Ramadani, me arsyetimin se pretendimet e të njëjtit janë të paqëndrueshme, të paargumentuara dhe të pambështetura në ndonjë arsye konkrete.

Avokati i Ramadanit, Naser Sopjani, menjëherë kishte paraqitur ankesë për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës penale dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Ilustrim.

Tutje, Prokurori i Apelit me parashtresë ka propozuar që ankesa e mbrojtësit të të pandehurit të refuzohet si e pabazuar, kurse vendimi i ankimuar të vërtetohet.

Pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës në këtë çështje penale, Apeli ka gjetur se ankesa e avokatit Sopjani nuk është e bazuar.

“Kjo gjykatë, po ashtu vlerëson faktin se në rastin konkret ajo çka është relevante për këtë fazë të procedurës penale, është fakti se aktakuza e ngritur ndaj të pandehurit si e tillë është përpiluar në pajtim me nenin 241 paragrafi 1 të KPP-së, e njëjta nuk përmbaj të meta të atilla që pamundësojnë vazhdimin e procedurës penale dhe se përmban të gjitha elementet e nevojshme që të mund të procedohet në fazat tjera të procedurës penale dhe nuk qëndrojnë pretendimet si në kërkesën për hedhje të aktakuzës”.

“Njëherit aktakuza mbështet në prova thellësisht të mbështetshme dhe të marra komfor dispozitave ligjore dhe se nuk ka vend për hedhjen e akuzës ashtu siç pa të drejtë pretendohet në ankesë”, thuhet në vendimin e Apelit.

Në seancën fillestare të mbajtur më 13 korrik, deputeti Valon Ramadani është deklaruar i pafajshëm për veprat penale me të cilat ngarkohet.

Më 30 korrik 2019, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë ndaj Valon Ramadanit, me arsyetimin se ka kryer dy vepra penale dhe atë “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375, paragrafi 1 të KPRK-së si dhe për “pengim i personit zyrtar, në kryerjen e detyrës zyrtare”, nga neni 409, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktit akuzues, më 21 mars 2018, në Prishtinë, saktësisht në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, i akuzuari Ramadani, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ka përdorur armë, në atë mënyrë që ka ndezur dhe ka hedhur një bombolë të gazit lotsjellës gjatë zhvillimit të seancës së jashtëzakonshme.

Në aktin akuzues thuhet se në kohën, vendin dhe mënyrën e lartcekur, i akuzuari Ramadani ka penguar personat zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, përkatësisht deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mënyrë që ka përdorur gazin lotsjellës dhe janë ndërprerë punimet e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të RKS-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore