Lajme

Haziri: Anulimi i Defender-it është shuplakë për Kurtin e Osmanin


Nenkryetari i Lidhjes Demokratike te Kosoves, Lutfi Haziri.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se anulimi i “Defender 23” për Kosovën, është “shuplakë” për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurtin.

“Pak retrospektivë. Prej vlerësimit deri në përulje për Ibrahim Rugovën që kishin amerikanët, por edhe për liderët tjerë politikë të Kosovës, për bashkëpunim e koordinim të vazhdueshëm për tema nacionale, sot amerikanët japin ultimatume për Kurtin”, ka shkruar Haziri në rrjetin social “Facebook”.

Dhe në bazë të kësaj ai potencon se “anulimi i Defender-it është shuplakë për presidenten dhe kryeministrin”.

“Por, e mira e madhe është që populli proamerikan dhe proevropian i Kosovës është lojal, e në anën tjetër fatkeqësia është që ka qeverisje aziatike”, shtoi ai.

Tutje, ai theksoi se “vazhdojmë ta përsërisim porosinë e presidentit Rugova: Kosova e hapur, demokratike dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”.

Ndryshe, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar me 30 maj se anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjen “Defender Europe 2023”, është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës, që ka refuzuar thirrjet e Uashingtonit që të shtensionojë situatën në Veri.

“Treguesi i parë i kësaj ishte vendimi që u mor natën e shkuar nga komandanti amerikan për Evropën për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në Defender Europe 2023, gjë që ndodhi gjatë natës”.

“Sot nuk ka pasur aktivitet për ‘Defender Europe ’23’ dhe nuk do të ketë. Për Kosovën, ato stërvitje kanë marrë fund”, kishte thënë Hovenier.

Ai tutje ka potencuar se SHBA-të janë duke menduar edhe për vendime të tjera që do të marrin në këtë drejtim për të qetësuar situatën në Veri.

“Ne i kemi kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të shtensionuar situatën në veri. Ai nuk u është përgjigjur këtyre kërkesave. Prandaj, ne po shqyrtojmë se çfarë do të jenë veprimet tona të tjera”, theksonte ai.

Më 26 maj, edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kishte paralajmëruar se veprimet e Qeverisë së Kosovës në komunat veriore, do të rezultojnë me pasoja “në raport dypalëshe”.

Intervistë me Ejup Maqedoncin: FSK-ja në Defender Europe 2023 me mbi 1 mijë trupa, do të ketë prezencë të SHBA-së, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kroacisë dhe Turqisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore