Lajme

Haxhiu: Shumicën e problemeve që i kemi në dialogun me Serbinë vijnë nga Marrëveshja e 2013-ës


Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në “Facebook”, ka thënë se shumica e problemeve me të cilat po përballet aktualisht ekzekutivi në dialogun me Serbinë derivojnë nga Marrëveshja e Parë mes Kosovës dhe Serbisë apo siç njihet ndryshe Marrëveshja e Parimeve.

Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është nënshkruar me inicialet e kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiç, përmes së cilës palët ishin pajtuar për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe integrimin serbëve në sistemin politiko-juridik të Kosovës.

Ajo ka thënë se përveç “karakterit një-etnik, kundër-kushtetues dhe një shtrese të tretë të pushtetit” të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, strukturat paralele ilegale nga shërbimet e Agjencisë Serbe të Intelegjencës (BIA) – “Mbrojta Civile” dhe “Rojat e Urës” –  në vend të shpërbërjes ishin rehabilituar në institucione të Kosovës.

“Pasi nuk u shpërbënë, ato kurrë nuk u integruan. Sot, dhjetë vite pas, përveçse ilegale kryejnë edhe vepra terroriste e kriminale siç e pamë me 29 maj të këtij viti në Zveçan si dhe me aktin terrorist që u parandalua para katër ditësh po ashtu në Zveçan”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka kujtuar se në kohën kur Lëvizja Vetëvendosje ishte në opozitë, ajo e pati kundërshtuar fort nënshkrimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, porse me sjellen për votim në Kuvendin e Kosovës, nuk kanë pasur fuqi që të ndalnin ratifikim e saj.

“Gabimin që e bënë kur e nënshkruan, e dyfishuan kur e sollën në Kuvend për ta votuar e ratifikuar. Më shumë se 2/3 e problemeve që i kemi në dialogun me Serbinë sot vijnë nga ky votim me mbi 2/3 në Kuvendin e Republikës para fiks një dekade”, ka thënë Haxhiu.

Këtë “trashigimi të së kaluarës”, kreu i Drejtësisë në Kosovë, ka thënë se tash po e adresojnë me një marrëveshje të re (Marrëveshja e Brukselit/27 shkurt dhe Aneksi i Ohrit/18 mars), që sipas saj, në qendër e ka njohjen reciproke de facto, marrëdhëniet dhe të drejtat reciproke.

Kjo marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat, targat e veturave dhe vulat doganore.

Ajo kërkon nga palët, ndër të tjera, që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore