Lajme

Haxhiu, prokurorëve e gjyqtarëve: Mund të jeni të hidhëruar me Qeverinë, por punoni për viktimat e dhunës


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është shprehur e shqetësuar për mospjesëmarrjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve në tryezën e cila është organizuar të mërkurën me temë “Dhuna ndaj vajzave – Drejt parandalimit dhe reagimit efektiv”.

Haxhiu, deklaroi se prokurorët e gjyqtarët mund të jenë të hidhëruar me Qeverinë për shkak të pagave, por që duhet të jenë zëri i viktimave.

Sipas ministres, për herë të parë institucionet i kanë sytë e veshët tek viktimat e dhunës.

“Është e vërtetë që nëse i shohim statistikat rasteve e dhunës ndaj grave janë shumëfisha më të mëdha se i atyre ndaj burrave, dhe për këtë arsyeje janë fokus i yni gratë. Kemi shumë punë për të bërë, sfida më e madhe mbetet sistemi i drejtësisë, më vjen keq që në këtë tryezë nuk ka as prokurorë as gjyqtarë sepse ata mund të jenë të hidhëruar me Qeverinë”.

Ajo theksoi se Kosova është duke iu bashkuar aktiviteteve të ndryshme me qëllim të sensibilizimit të qytetarëve.

Tryeza “Dhuna ndaj vajzave – Drejt parandalimit dhe reagimit efektiv”.

“Puna jonë kundër këtij fenomeni nuk fillon me fushatën që kemi lansuar. Edhe Kosova i është bashkuar vendeve të tjera për ndërmarrë aktivitet të ndryshëm me qëllim të sensibilizimit të opinionit edhe për raportimin e rasteve të dhunës sikurse edhe për thirrje”.

Ndërsa, drejtoresha e KOMF-it, Donjeta Kelmendi, deklaroi se rastet e dhunës në familje janë në rritje çdo ditë.

Prandaj, kërkoi që kjo çështje të trajtohet me seriozitet të lartë.

“Viteve të fundit ka pasur një rritje edhe sipas të dhënave të Policisë të rasteve të dhunës ndaj fëmijëve e sidomos ndaj vajzave”.

“Këto vepra po ndodhin në të gjitha ambientet mandej edhe në institucionet edukative, për neve mbetet shqetësues mundësia e parandalimit. Seriozitetit i sistemit të drejtësisë në trajtimin e këtyre rasteve mungon”.

Në vitin 2017 kryeministri i Kosovës atëherë, Ramush Haradinaj, pati rritur pagat për shumë kategori dhe mes tyre për gjyqtarë dhe prokurorë.

Përkundër faktit se një gjë e tillë konsiderohej si joligjore dhe në kundërshtim me Kushtetutën, ky vendim asnjëherë nuk ishte shfuqizuar nga asnjë institucion tjetër, pavarësisht kërkesave të opozitës e shoqërisë civile në atë kohë.

Vendimi ishte prekur më pas në vitin 2020 nga pasardhësi i Haradinajt, Albin Kurti, por vetëm për zyrtarë qeveritarë, derisa pagat e punëtorëve të sistemit të drejtësisë mbetën, meqë edhe shkonte me premtimet e vetë Kurtit për paga të larta në këtë sektor.

Përfundimisht, me Projektligjin për paga nga Qeveria e Kosovës të enjten, ulje të pagës kanë pësuar edhe gjyqtarët edhe prokurorët.

Por, siç shpjegojnë ekspertët, kjo ulje përmes këtij ligji është në fakt krejtësisht jo ligjore.

Ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve: Anti-ligjore, anti-kushtetuese, anti-Komisionit të Venecias, anti…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore