Lajme

Ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve: Anti-ligjore, anti-kushtetuese, anti-Komisionit të Venecias, anti…


Foto nga Albanian Post

Në vitin 2017 kryeministri i Kosovës atëherë, Ramush Haradinaj, pati rritur pagat për shumë kategori dhe mes tyre për gjyqtarë dhe prokurorë.

Përkundër faktit se një gjë e tillë konsiderohej si joligjore dhe në kundërshtim me Kushtetutën, ky vendim asnjëherë nuk ishte shfuqizuar nga asnjë institucion tjetër, pavarësisht kërkesave të opozitës e shoqërisë civile në atë kohë.

Vendimi ishte prekur më pas në vitin 2020 nga pasardhësi i Haradinajt, Albin Kurti, por vetëm për zyrtarë qeveritarë, derisa pagat e punëtorëve të sistemit të drejtësisë mbetën, meqë edhe shkonte me premtimet e vetë Kurtit për paga të larta në këtë sektor.

Përfundimisht, me Projektligjin për paga nga Qeveria e Kosovës të enjten, ulje të pagës kanë pësuar edhe gjyqtarët edhe prokurorët.

Por, siç shpjegojnë ekspertët, kjo ulje përmes këtij ligji është në fakt krejtësisht jo ligjore.

Qeveria kundërshton standardet e Komisionit të Venecias

Medina Kadriu, hulumtuese në Institutin e Kosovës për Drejtësi (KDI), sqaron për Albanian Post se një veprim i tillë është në kundërshtim me të gjitha rrugët institucionale.

“Vendimi i djeshëm i Qeverisë, me arsyetimin e nxjerrjes së aktgjykimit për Ligjin Nr.06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, i cili aktgjykim është nxjerrë para dy (2) vite e katër (4) muajve qartazi cenon pritjet legjitime të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo shkelje e pritjeve legjitime paraqet shkelje të së drejtës në pronë, mbrojtja e së cilës garantohet përmes nenit 46 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 1 të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thotë ajo për AP.

Por, sipas saj, ky veprim do të shkaktoj edhe probleme të tjera në sistemin e drejtësisë.

“Gjyqtarët dhe prokurorët tanimë kanë krijuar pritje legjitime për pagat e tyre, të cilat pritje janë manifestuar edhe në kuptim të hyrjes së tyre në obligime financiare, ky vendim i Qeverisë tanimë ngrit potencialin korruptiv në sistemin e drejtësisë”.

Ilustrim.

Një gjë e tillë kundërshtohet edhe nga Komisioni i Venecias.

Kadriu, pohon se ky komision i ka të përcaktuar standardet se ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk është e lejuar, përjashtimisht rasteve shumë specifike.

“Në shkurt të vitit 2020, kur në procedurë në Gjykatën Kushtetuese ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Ligjit për Pagat, Gjykata i ishte drejtuar Komisionit të Venecias me një pyetje dhe disa nën pyetje thelbësore në lidhje më çështjen e uljes së pagës për pushtetin gjyqësor”.

“Përgjigjet e Komisionit të Venecias ishin se ‘Ulja e pagave të gjyqësorit mund të ndodhë vetëm nën kushte të një krize të theksuar ekonomike dhe financiare dhe e cila për më tepër duhet të jetë e njohur zyrtarisht si të tillë’ dhe se ‘pavarësia gjyqësore kërkon një shkallë themelore të sigurisë financiare nga ndërhyrjet arbitrare nga ekzekutivi ose degët e tjera të pushtetit’.

Kush pëson nga ky vendim?

Edhe për gjyqtarin në Gjykatën e Apelit, Hasan Shala, kjo është ndërhyrje direkte e ekzekutivit në sistemin gjyqësorë të Kosovës.

“Është e sqaruar edhe me konventën ndërkombëtare edhe me vendime të tjera pasi që kur preken në buxhet edhe pagat gjyqësore konsiderohet ndërhyrje e Qeverisë në sistemin gjyqësor”.

Shala, sqaron në një bisedë për Albanian Post se pasojat më të mëdhaja do t’i bartin të rinjtë të cilët janë në fillim të ndërtimit të karrierës së tyre.

“Vetë fakti se kur thuhet ndërhyrje, pasojat fillimisht do të jenë tek të rinjtë, që e kanë kryer fakultetin, kanë dhënë provimin të aplikojnë dhe të kandidojnë në Gjykata. Duhet të behët e ditur se për një konkurs kandidojnë 600 deri në 700 kandidatë sepse janë të interesuar për paga dinjetoze”.

Ilustrim.

Pas këtij vendimi edhe gjyqtarët mund të zgjedhin drejtim tjetër.

“Në një rast të tillë dorëheqje mund të japin edhe gjyqtarët dhe të vazhdojnë rrugën e tyre si avokat”.

“Vendim skandaloz”

Po ngjashëm si Shala mendon edhe jurisiti Mentor Beqiri.

“Vendimi i Qeverisë, për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, është totalisht në kundërshtim me ligjin dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese (e cila rrjedhimisht është norma kushtetuese). Pra, ky vendim është anti-ligjor dhe anti-kushtetuese njëkohësisht”.

Nga këndvështrimi i Beqirit kjo është “skandaloze”.

“Si i tillë ky vendim është skandaloz dhe nuk ka bazë ligjore. Sipas gjitha gjasave i njëjti do të shfuqizohet shpejt për shkak se si i tillë krijon precedent të keq juridik”, deklaron Beqiri për AP.

Koeficientet në projektligjin për paga 

Pagat e punëtorëve në Kosovë janë të llogaritura duke e shumëzuar koeficientin e pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit.

Sipas projektligjit për paga koeficienti më i lartë 18 i takon vetëm presidentit të Kosovës.

Niveli i koeficientit 17.5 i takon kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, kurse koeficienti 17 i takon kryetarit të Kuvendit të Kosovës si dhe kryeministrit.

12 është koeficienti për mjekët specialistë.

Ilustrim.

Mësimdhënësit në shkolla fillore dhe ato të mesme të ulëta do të kenë koeficientin 5.6.

Gjatë tërë muajit shtator mësimdhënësit dhe shërbyesit civilë kanë mbajtur grevë në kërkim të miratimit të këtij projektligji.

Për këtë arsyeje procesi mësimor ka nisur me një muaj vonesë.

Deri tani 1 koeficient është llogaritur me vlerën 120 euro, duke u bazuar këtu i bie që kryetari i Gjykatës Kushtetuese, me 17.5, shumëzuar me 120, ka qenë 2 mijë e 100 euro.

Sipas Agjencisë Kundër Korrupsionit, paga vjetore e një gjyqtari dhe prokurori në Kosovë varion nga 15 deri në 30 mijë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore