Lajme

Haxhiu për ankesat e të burgosurve: Vendimet e planit për lirim me kusht janë vendime standarde, shumica refuzohen pa arsyeje


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për vizitat të cilat i bën në qendrat korrektuese tek të burgosurit ka thënë se ankesa më e shpeshtë që merr nga ata është se vendimet e lirimit me kusht, konsiderohet që janë vendime standarde e që numri më i madh i tyre refuzohet pa arsyeje.

Këtë deklaratë Haxhiu e bëri gjatë prezantimit të Raportit Monitorues për Aplikimin e Lirimit me Kusht në Kosovë i cili e përfshin periudhën prej muajit mars e deri në shtator të 2022.

“Nëse një person i dënuar ka treguar sjellje të mirë, dhe ka pranuar përgjegjësinë ë tij, atëherë duhet të ekzistojë mundësia për lirimin me kusht. Po punojmë në përmirësimin e lirimit me kusht, në përmbushjen e standardeve”.

“Një prej ankesave më të shpeshta e të burgosurve, kanë qenë vendimet e planit për lirim me kusht, konsiderohet që janë vendime standarde e që shumica refuzohen pa arsyeje”, ka thënë Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, ka rikujtuar se qëllimi i Ministrisë mbetet që të garantojnë sistem “të besueshëm, të drejtë dhe të pavarur” por “edhe profesional”.

“Si Ministri e Drejtësisë, kemi për qëllim që të garantojmë një sistem të besueshëm të drejtë dhe të pavarur, por edhe profesional. Drejtësia penale është shtyllë e sistemit të së drejtës. Dënimi me burgim nuk duhet të jetë masa e vetme për sigurinë publike, sidomos kur është fjala për krimet që nuk kana rrezikshmëri të lartë shoqërore, e të përdoret lirimi me kusht”.

Tutje procedurën e lirimit me kusht ministrja e ka përshkruar jo vetëm si proces ligjor “por edhe njerëzor apo human”.

“Në vendet demokratike siç është edhe Republika e Kosovës, lirimi me kusht është instrument i zakonshëm”, deklaroi ajo.

Teksa shefi i misionit të EULEX-it, Lars-Gunnar Wigermark ka deklaruar se raporti përfshin gjetje dhe rekomandime specifike për autoritetet lidhur me aplikimin e lirimit me kusht nga gjashtë institucione korrektuese në tërë Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore