Lajme

Haxhiu kërkon që Ligji për Byronë të miratohet: Jam optimiste që e gjithë pasuria që s’mund të arsyetohet do të konfiskohet


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se kanë pasur një sërë sfidash sa i përket konfiskimit dhe sekuestrimit të pasurisë së pajustifikueshme.

Ndër të tjera, ministrja deklaroi se pasurisë së sekuestruar po i humb vlera, teksa ka kërkuar që ligji për byronë të miratohet sa më shpejt.

“Jam optimiste që Ligji për Byronë do të mundësoj që e gjithë pasuria që nuk mund të arsyetohet të konfiskohet. Është e rëndësishme që të kemi bashkëpunim ndërmjet Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatave”.

“Qeveria ka miratuar koncept-dokumentin e Fondit të konfiskim që mjetet të destinohen për grupet e margjinalizuara”, deklaroi ajo.

Ministrja këto deklarata i bëri në tryezën e organizuar nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, ku u diskutua edhe mbi rëndësinë e bashkërendimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve në menaxhimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.

“Është e rëndësishme që jemi mbledhur këtu, ngase kemi hasur sfida në adresimin e çështjeve për pasurinë e konfiskuar dhe sekuestruara. Gjatë gjithë kësaj kohe jemi përpjekur që të i adresojmë sfidat. Por duhet bashkëpunim që ta fuqizojmë Agjencinë”.

Sipas ministres, “brenga më e madhe mbete se pasuria e sekuestruara po mbetet me vite të tëra dhe po i humb vlera”.

Më 9 shkurt, Kuvendi i Kosovës me 66 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim ka miratuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Lidhja Demokratike e Kosovës kishte mbështetur ligjin.

Kurse Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk kishin marrë pjesë në votim.

PDK gjithashtu kishte paralajmëruar se të njëjtin do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore