Lajme

Haxhiu: Gratë luajtën rol aktiv në çlirimin e Kosovës gjatë viteve të 80-ta


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë konferencës shkencore ndërkombëtare “Roli i Grave në Jetësimin e Shtetit të Kosovës (aspekte sociale, kulturore, politike nga 1980 dhe deri në ditët e sotme, ka deklaruar se periudha e viteve të “80-ta ishte etapa kur populli shqiptar i Kosovës përjetoi një ngritje masive në rezistencë”.

“Në angazhimin direkt për çlirim përmes lëvizjeve të mëdha popullore dhe arsimimit të vazhdueshëm drejt të gjitha katedrave universitare të asaj kohe”, tha Haxhiu.

Ajo tutje ka potencuar se roli i grave në këtë periudhë mori një rol aktiv dhe u bashkua krahas gjinisë mashkullore për të njëjtin qëllim.

“E që ishte çlirimi i vendit nga regjimi i Jugosllavisë së atëhershme. Pra, është periudha ku gratë marrin një rol aktiv, jo vetëm për jetën e tyre, por bartin mbi supe krahas burrave një përgjegjësi për orientimin publik politik të çështjes kombëtare, një kundërpërgjigje ndaj shtypjes së dhunshme dhe padrejtësive të panumërta”, tha ministrja Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Gjithashtu ministrja rikujtoi edhe shtypjen dhe regjimin e Serbisë ndaj popullit shqiptar përmes dëbimit të mijëra punëtorëve nga vendet e punës.

Largimin e studentëve nga hapësirat e tyre universitare, burgosjen e veprimtarëve politikë, nga të cilët, kishte edhe gra nga vende dhe rajone të ndryshme të Kosovës.

“Ato gra kanë qenë pjesë e lëvizjeve popullore që kërkonin liri dhe pavarësi, të predispozuar për të garantuar një shoqëri të drejtë. Ato kanë luftuar kundër pushtuesit duke u rreshtuar edhe në luftën çlirimtare të armatosur dhe janë angazhuar aktivisht edhe në afirmimin ndërkombëtar të kauzës”, tha ministrja Haxhiu.

Ajo shtoi edhe pse ka pasur kaq shumë sfida që janë përcjellur me vite të tëra, “gratë në Kosovë nuk u ndalën asnjëherë në arsimimin e tyre për të rezultuar çdo herë e më shumë prezencë dhe ndikim direkt në të gjitha sferat e shoqërisë, dhe sot duke qenë protagoniste në vendimmarrje dhe orientime politike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore