Shqipëria

Harta e re gjyqësore është domosdoshmëri, sipas kryeprokurorit Çela


Kryeprokurori shqiptar Olsian Çela, gjatë prezantimit të raportit vjetor të institucionit që ai drejon, e ka vënë theksin tek domosdoshmëria e hartës së re gjyqësore dhe cakancat e prokurorëve, të cilat arrijnë në kuotën e 42%.

Sipas kreut të Prokurorisë së Përgjithshme, është treguar një kujdes i shtuar për rritjen e efiçencës së punës së prokurorëve në vend, përfshi këtu edhe bashkëpunime me autoritetet e huaja.

Ndërsa, mbi hartën e re gjyqësore, ai ka bërë me dije se instritucioni që drejton, është angazhuar dhe ka dhënë kontribut domethënës për reformën.

Situata më problematike, sipas një grafiku të prezantuar nga Çela, është në Lushnjë, ku një prokurori i duhet të kalojë 470 çështje të ndjekura. Megjithatë, numri në tërësi është ulur nga viti i kaluar.

Berati po ashtu e ka mesataren e lartë, me 467 çështje për prokuror, ku sërish numri është ulur në vitin e fundit.

Ndërsa, Saranda paraqitet me 440 çështje për prokuror dhe Tirana me 414, ku këto të fundit janë rritur për kryeqytetin.

Në Mat dhe Pukë, pavarësisht se ka një rritje, numri i çështjeve për prokuror është më i ulëti në vend, me 174 të tilla.

Prokuroritë e tjera ndërkohë, radhiten mes 200 dhe 300 çështjeve për prokuror.

Numrin më të lartë të çështjeve, e mban Tirana në tërësi, ku ndjekës më pas janë Durrësi, Korça, Shkodra dhe Vlora.

Në mbyllje të fjalës së tij ndërkohë, Çela theksoi bashkëpunimin me organet e tjera hetuese dhe ligjzbatuese, duke përmendur Prokurorinë e Posaçme SPAK, Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë apo organet që prej Ministrisë së Brendshme, deri tek drejtoritë e Policisë.

“Bashkëpunimi e koordinimi ndërmjet prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe Prokurorisë së Posaçme (SPAK) përgjatë vitit 2022 ka vijuar me tregues në rritje në zbatim të ligjit dhe Aktit të Koordinimit Ndërinstitucional”, vuri theksin kryeprokurori.

Ndërsa, lidhur me organet ligjzbatuese, ai përmbylli duke përmendur se ka pasur rritje të cilësisë dhe efiçencës në hetimin dhe ushtrimin e ndjekjeve penale të kriminalitetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore