Shqipëria

Haradinaj takon Begajn, bisedojnë për zhvillimet politike në Kosovë, Shqipëri dhe rajon


Ramush Haradinaj dhe Bajram Begaj duke bërë shqiponjën.

Zhvillimet politike në Kosovë, Shqipëri dhe rajon kanë qenë temat qendrore të takimit në mes të Ramush Haradinajt dhe Bajaram Begajt.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Presidenti i Shqipërisë janë takuar në Iballë të Pukës, ku kanë marrë pjesë në festën e 120 vjetorit të hapjes së shkollës shqipe në këtë fshat.

Për takimin mes Begajt dhe Haradinajt, ka njoftuar ky i fundit në llogarinë e tij në Facebook, teksa ka bërë të ditur edhe detaje nga diskutimet mes tyre.

“Kënaqësi të ndajmë mendimet e njëjta, që Kosova sa më parë t’i kthehet rrugës së saj të paalternativë për anëtarësimin në NATO, sepse kjo nënkupton më shumë siguri në rajon e më shumë paqe në botë”, ka shkruar kreu i AAK-së.

Foto: Ramush Haradinaj

Gjatë ditës, Haradinaj ka postuar edhe një video, ku shihet duke dalur nga shkolla, dhe në një moment së bashku me Begajn bëjnë shqiponjën së bashku – simbolin e të gjithë shqiptarëve.

Pak ditë më parë, Haradinaj është takuar edhe me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Ish-kryeministri i Kosovës shkruante se me Ramën ka pasur një takim “vëllazëror”, teksa njoftonte se kanë biseduar për zhvillimet që po ndodhin në dy vendet respektive.

“Diskutuam për zhvillimet që po kalon Kosova, Shqipëria dhe rajoni dhe për proceset që na presin, veçanërisht për sfidat e Kosovës në çështjet që kanë të bëjnë me dialogun, sigurinë dhe perspektivën e integrimeve euro-atlantike”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Ai theksonte se kreut të ekzekutivit të Shqipërisë i ka kërkuar që në të gjitha nivelet e bisedave me faktorët ndërkombëtar e kombëtar “të ndihmojë në tejkalimin e sfidave që i ka Kosova dhe të përshpejtojë integrimin e saj”.

“E falënderova përzemërsisht për kujdesin e tij dhe të Shqipërisë në këtë periudhë jo të lehtë që po kalon Kosova”, përfundoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore